Zherka nuk njeh Gjyqtarët dhe Prokurorin e EULEX-it

loading...

gjk

loading...
Në Gjykatën Themelore të Pejës, të hënën, vazhdoi gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, vëllezërve Xhelal e Reshat Zherka, si dhe Mirela Ndocit. I akuzuari Reshat Zherka, refuzoi të japë dëshminë e tij, pasi tha se nuk e njeh gjykatën e as prokurorinë e EULEX-it.

Në Gjykatën Themelore të Pejës, të hënën, vazhdoi gjykimi ndaj ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, vëllezërve Xhelal e Reshat Zherka, si dhe Mirela Ndocit.

Para trupit gjykues ishte paraparë të deklarohet i akuzuari për “ushtrim të ndikimit”, Reshat Zherka, por ai refuzoi të dëshmojë, pasi tha se nuk njeh gjykatën dhe prokurorinë e EULEX-it.

“Unë para jush nuk jap dëshmi, sepse nuk ju njoh dhe për mua jeni inekzistentë”, tha Reshat Zherka.

Përpara se ta marrë vendimin për të mos dëshmuar para trupit gjykues, Zherka parashtroi kërkesën që nga paneli i gjykatës dhe prokuroria që merret me rastin, të përjashtohen gjykatësit dhe prokurori i EULEX-it, pasi ata janë të anshëm dhe janë zgjedhur në kundërshtim me Kodin Penal të Kosovës.

Trupi gjykues pas konsultimeve me prokurorin vendosi që ta hedhë poshtë kërkesën e Reshat Zherkës, derisa një vendim të tillë Zherka e kërkoi si dokument të shkruar.

Gjykatësja Elmaze Suka, pjesë e panelit gjyqësor të rastit Mustafi tha se kërkesa është bërë me gojë, prandaj edhe vendimi u komunikua po me gojë.

Më pas prokurori Cezary Michalczuk filloi të marrë në pyetje të akuzuarin Reshat Zherka, por Zherka ishte kategorik që të mos përgjigjej para prokurorit të EULEX-it.

Për Zherkën e pranueshme ishte vetëm gjyqtarja Elmaze Suka dhe një panel i përbërë krejtësisht nga gjyqtarë dhe prokurorë kosovarë.

Para se të niste dëshminë e tij i akuzuari Zherka, ish prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi që në shkurtin e këtij viti dha 10 mijë euro kaucion për t’u mbrojtur në liri, u ankua se policia e ka rrahur atë dhe djalin e tij të sëmurë gjatë bastisjes që i ka bërë në shtëpi, para gjashtë ditësh.

“Sjellja e policisë ka qenë shumë e vrazhdë, duke mos pasur kurrfarë konsiderate as për fëmijën e sëmurë. Nazmi Mustafi

Mustafi tha se policia pas bastisjes së shtëpisë ia ka kërkuar edhe 15 mijë euro, për të mos e kthyer në paraburgim. Këtë shumë Mustafi tha se e ka paguar dhe është kthyer përsëri në shtëpi.

“Sjellja e policisë ka qenë shumë e vrazhdë, duke mos pasur kurrfarë konsiderate as për fëmijën e sëmurë”, tha Mustafi.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Nazmi Mustafi, ngarkohet për veprat penale keqpërdorim dhe shpërdorim të detyrës zyrtare dhe armëmbajtje pa leje.

Reshat dhe Xhelal Zherka akuzohen për ushtrim të ndikimit dhe shtytje e shpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa Mirela Ndoci akuzohet për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Seanca e radhës në Rastin “Mustafi” pritet të zhvillohet më 3 prill, kur do të thuhet fjala përfundimtare e palëve. Armend Zenelaj/gazetajnk/

loading...