Zgjedhjet ngrejnë në këmbë policinë e shtetit, gjysma e efektivëve të Tiranës e Durrësit në Kavajë

loading...

Zgjedhjet e parakohshme që pritet të zhvillohen këtë të diel, për kryetarin e ri të Bashkisë së Kavajës, kanë bërë që Policia e Shtetit të kalojë në gatishmëri Nr.1.

Televizioni Klan ka mësuar se të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin pritet të jenë në gatishmëri dhe në vendet e tyre të punës. Ndërkaq në Kavajë, pritet të stacionohen afërsisht 1 mijë policë.

Po kështu, burimet kanë pohuar se afërsisht 40 % e efektivëve të Tiranës e Durrësit, pritet të stacionohen në Kavajë. Kjo me qëllim marrjen e masave, për parandalimin e grumbullimit të njerëzve që mund të synojnë bllokimin e zgjedhjeve.

Po kështu edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, mund të instalohen në pika hyrëse të autostradës Durrës – Kavajë, apo në segemente të tjera në distancë të konsiderueshme, me qëllim parandalimin e grumbullimit të qytetarëve në zonat dhe vendet e votimit.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit nuk ka pranuar të japë të dhëna në lidhje me planin e masave të parashikuara për këtë situatë. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka pohuar se masat do të jenë të tilla që do të diktohen nga Kodi Zgjedhor, duke parashikuar që policia të mos afrohet pranë qendrave të votimit.

Plani i masave pritet të nisë zbatimin e tij që prej ditës së shtunë nga policia e Shtetit. Burimet thonë se në këtë kuadër, pritet shoqërimi në polici i elementëve të njohur për tendenca kriminale apo që mund të shfrytëzojnë trazirat.

The post Zgjedhjet ngrejnë në këmbë policinë e shtetit, gjysma e efektivëve të Tiranës e Durrësit në Kavajë appeared first on albagrafi.

loading...