Zemërimi dhe inati ju shëndoshin

Nuk është vetëm mbingopja apo stresi që ndikojnë drejtpërsëdrejti te mbipesha! Zbulimet më të fundit të disa shkencëtarëve amerikanë të Universitetit të Hjustonit tregojnë se ajo shkaktohet edhe nga zemërimi!

Shëndetitimthumb (1)

Fushatat e parandalimit të shoqatës amerikane “Heart”, së shpejti mund të bazohen në një slogan të ri dhe origjinal: “Kontrolloni emocionet tuaja!”. Ky njoftim interesant është bërë nga hulumtuesit e Universitetit të Hjustonit me rastin e 44-vjetorit të konferencës së institucionit prestigjioz.

Pasojat e zemërimit

Në lidhje mes mbipeshës dhe ndjenjës së zemërimit tek adoleshentët, është dyshuar qysh prej viteve ’90. Megjithatë që atëherë këto dyshime nuk u vërtetuan asnjëherë. Por sot, një studim i zhvilluar tek 160 adoleshentë, konfirmon këtë lidhje sociale. Duke përfituar nga një hetim i gjerë epidemiologjik i quajtur projekti “Heartbeat” (domethënë projekti i rrahjeve kardiake) i kryer te fëmijët e moshës 8 deri në 18 vjeç, studiuesit e sipërpërmendur janë përqendruar tek adoleshentët e moshës 14 deri në 17 vjeç për të ndjekur evoluimin e indeksit të masës së tyre trupore (BMI- Body Mass Index) dhe aftësinë e tyre për të kontrolluar ekseset e zemërimit.

Rezultatet janë befasuese:

•Kontrolli mesatar i emocioneve rritet me moshën dhe është më i lartë tek adoleshentët me masë trupore më të ulët.

•Shprehja e zemërimit zvogëlohet me moshën, por mbetet më e lartë te fëmijët me BMI të lartë.

Autorët theksojnë se as seksi dhe as etnia nuk kanë ndikuar në këto gjetje.

Zemërimi dhe mbipesha

Adoleshentët, të cilët nuk përpiqen të kontrollojnë emocionet e tyre, paraqesin një rrezik më të lartë për të qenë mbipeshë. Si mund të shpjegohet ky fenomen? Për profesorin William Muller, autori kryesor i studimit, “disa probleme në të shprehurit e mllefit të tyre mund të përkthehen me shfaqjen e shqetësimeve të sjelljes së ushqyerjes dhe të shtimit në peshë, e cila çon në një rritje të rrezikut të sëmundjeve kardiovaskulare në një moshë të re”. Sipas tij, “fëmijët të cilët zemërimin e tyre e shprehin në një mënyrë anormale, për shembull përplasin derën, kanë tendencë të izolohen, të shohin televizor dhe të largohen nga miqtë”. Të gjithë këta janë komponentë që favorizojnë jetën sedentare, e të qëndruarit palëvizur dhe mbipeshën. Sipas autorëve, këto zbulime mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta mjekësore. Kështu që është e nevojshme që mjekët duhet të inkurajohen të ndjekin shëndetin emocional të fëmijëve, pa u kufizuar në mbikëqyrjen e aktivitetit të tyre fizik dhe atë të ushqyerjes.

“Ne duhet t’i japim përparësi një qasjeje më të gjerë sociologjike. Të mësojnë të heqin stresin apo të menaxhojnë konfliktet, janë aftësi të cilat do t’i sjellin dobi jetës së tyre të përditshme”, shton më tej William Muller.

Të zemërohesh bën keq

Zemërimi nuk është i dëmshëm vetëm për siluetën. Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet keqadministrimit të emocioneve dhe rrezikut të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare. Kështu, pasi kanë ndjekur 1055 burra për më shumë se 30 vjet, disa studiues amerikanë kanë ekzaminuar shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare para moshës 55-vjeçare në bazë të reagimit të tyre ndaj stresit.

Rezultatet: Rreziku kardiovaskular i më të zemëruarve ishte tri herë më i lartë se ai i individëve të qetë. Madje, rreziku i infarktit ishte edhe më i madh, gjashtëfish. Gjithmonë poetët e kanë bërë zemrën selinë e emocioneve, ndërsa tani edhe shkencëtarët gradualisht po i zbulojnë këto lidhje. Por një gjë është e sigurt: menaxhimi më i mirë i zemërimit mund të kursejë probleme me zemrën dhe mbipeshën.