Zemaj: Sami Lushtaku është drejtor i burgut

Në emisionin e sotëm të “Puls”-it në KTV u diskutua për punën e institucioneve të sigurisë, për të arriturat dhe dështimet e këtyre institucioneve.
Naim Maloku, njohës i fushës së sigurisë, i ftuar në emision, tha se në Inspektoratin Policor të Kosovës është bërë gabim që janë bërë policët inspektorë. Sipas tij, është dashur të jenë juristë e jo policë në IPK.
“Sa i përket Policisë së Kosovës, kemi shumë probleme. Dhoma e dëshmive, ari në Pejë, pasaportat nuk kemi marrë përgjigje. Kjo është shqetësuese, duhet një reformë në polici. Kur flasim për Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka pas dorëheqje të shumta në atë institucion për shkak të raporteve me shefin e AKI-së dhe duhet urgjent që Presidentja dhe Kryeministri të merren më këtë, por edhe komisioni parlamentar për AKI”, ka thënë Maloku, raporton Koha.net.
Ai ka theksuar se AKI dhe Inspektorati Policor janë tejngarkuar me policë, duke theksuar se nuk mundet polici me mbikëqyrë policin, “kur dihen inatet personale që i mbajnë mend gjatë punës në polici”.
Maloku ka shtuar se shërbimi korrektues ka dështuar për shkak se vet themelimi i Gjykatës Speciale tregon se Kosova ka dështuar, e jo vetëm ministri Hajredin Kuçi, që për 3 vjet ta bindin faktorin ndërkombëtar që kemi gjykatë të pavarur dhe shërbim korrektues.
“Tregues për dështimin e shërbimit korrektues është themelimi i Gjykatës Speciale ku të hetuarit dhe të dënuarit do të vuajnë dënimin jashtë vendit. Pra nuk e kemi bindur bashkësinë ndërkombëtare që shërbimi korrektues e kryen punën e vet, që të burgosurit do ta mbajnë burgun në bazë të ligjit”, ka shtuar Maloku.
Armend Zemaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, ka thënë se kryeshefi i Inspektoratit Policor, Fitim Shishani, ka ardhur në mënyrë të paligjshme në këtë post, pasi, siç tha Zemaj, ai nuk ka pasur përvojë menaxheriale.
“Ky Kreyshef ka ardhur nga një vijë politike. Shantazhi i cili u bëhet nga inspektorati i policisë policëve të Kosovës janë statistikat ku të gjitha kontestet gjyqësore policët i kanë fituar kundër inspektoratit. Pra tentohet të kontrollohet policia. Në IPK ka me diploma të bujqësisë, farmacisë me shkolla të mesme – kuadro tmerr”, ka thënë Zemaj.
Ai ka thënë se në këtë institucion ka degradim, megjithëse ka thënë se ka respekt për Policinë e Kosovës.
“Vjedhjet e fundit e kanë zbeh shumë besueshmërinë e policisë së Kosovës. Kemi deklarime nëpër media ku flitet se ka grupe të Fatmir Xhelilit, Azem Sylës, Bajram Rexhepit e Hashim Thaçit në PK”, u shpreh deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Zemaj pranoi se Komisioni Parlamentar për Legjislacion ka dështuar në monitorimin e shërbimit korrektues.
“Defektet kryesore në shërbimin korrektues janë se ka ndikime politike. Të gjithë e dinë këtë dhe të gjithë flasin se Sami Lushtaku është drejtor e jo dikush tjetër, edhe pse ai është nën arrest. Ai dhe persona tjerë që janë të dënuar për krime, ata janë duke u shëtitur [jashtë burgut]. Paramendoni nivelin e burgjeve – krejt të burgosurit kanë telefona”, ka thënë Zemaj.
I ftuari tjetër në emisionin “Puls” të KTV-së, Florian Qehaja, njohës i fushës së sigurisë, ka thënë se IPK ka menaxhmentin e dobët dhe ka pasur ndikime në emërimin e kryshefit të ardhur nga policia, i cili, sipas tij, “nuk ka dhënë rezultate kur ka qenë në polici”.
“IPK po mbahet me infuzione të ICITAP-it amerikan. Kur të shkojë, çka do të bëjnë? Menaxhmenti është i dobët. IPK ka qenë selektive në përzgjedhjen e rasteve në polici”, ka thënë Qehaja.
Ai ka thënë se edhe policizimi i AKI-së është problem pasi që po ka përplasje si pasojë e inateve personale që po barten nga policia e Kosovës në AKI dhe verifikimet po bëhen në mënyrë selektive.
“Pra, verifikimi duhet me qenë agjenci e pavarur e jo brenda AKI-së. Duhet me iniciu me ndryshu ligjin. Ka potenciale dhe indicie për keqpërdorim të verifikimit duke pastruar figura të ndryshme”, u shpreh ai.
Megjithëse thotë se Policia e Kosovës është kampion në raport me institucionet e tjera të sigurisë, duke ditë se ka arrit të kalojë tranzicion nga UNMIK-u në Policinë e Kosovës dhe duke e ditë se EULEX-i është marrë vetëm me çështje të caktuara, dobësitë e Policisë, sipas tij, janë nepotizmi, implikimet nga subjektet politike.
“Në asnjë tribunal në ish-republikat jugosllave, pasi janë dënuar liderë të ndryshëm, nuk kanë shëtit rrugës sikur tek ne që shëtisin. Pra, ka dështuar si shërbim korrektues”, theksoi Qehaja në fjalën e tij./koha.net/