Zbulohet qëllimi i vërtetë i vizitës së Thaçit në Tiranë

Passport.jpg1
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi është duke marrë pjesë në konferencën “Konventa për Integrime Europiane”, e cila organizohet nga Ministria e Jashtme dhe Ministria për Integrime Europiane e Shqipërisë, në partneritet me Slovak Foriegn Policy Association.

Thaçi është takuar me homologun e tij sllovak, Mirosllav Llajçak, pak para konferencës për ministrat e jashtëm.

“Thaçi dhe Llajçak kanë negociuar për njohjen e Kosovës nga Sllovakia”, thotë ky burim, pasi që takimi i lartpërmendur është mbajtur larg mediave.

Duke e kuptuar integrimin në BE jo thjesht si një agjendë institucionale, por si një projekt ambicioz zhvillimi i nxitur vazhdimisht nga shoqëria, roli i shoqërisë civile dhe qytetarëve të angazhuar aktivisht është kyç për promovimin e vlerave europiane dhe rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit publik për ndikimin dhe përfitimet që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE, thuhet në njoftimin për mbajtjen e kësaj konvente.

Krijimi i urës së bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile e njëkohësisht forcimi i kapaciteteve në të dy sektorët, sjell nevojën e ngritjes së mekanizmave të veçantë. Një instrument i aplikuar me sukses, lehtësues i këtij procesi, është Konventa për Integrimin Europian. Duke qenë një model unik, i zhvilluar nga Slovak Foreign Policy Association gjatë viteve 2003-2007, është zgjeruar në saje të mbështetjes së asistencës sllovake të zhvillimit bilateral (Slovak Aid) në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Malin e Zi, Ukrainë dhe Moldavi.

Synimi i përgjithshëm i projektit Konventa për Integrimin Europian është rritja e pjesëmarrjes të të gjithë segmenteve të shoqërisë shqiptare në formulimin e politikave kombëtare. Vëmendje e veçantë i kushtohet përpjekjes për integrimin europian të vendit, si dhe promovimit të bashkëpunimit të sektorit shtetëror me shoqërinë civile, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe aftësive që mundësojnë plotësimin e kritereve për integrimin në BE.

Në këtë aktivitet pos Thaçit, marrin pjesë edhe Mirosllav Llajçak, zv/kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, dhe Ditmir Bushati, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të ministrive, analistë, media, akademikë, shoqëri civile, etj.

Kjo konventë është organizuar nga Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA), në partneritet me Slovak Foreign Policy Association, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Integrimit Europian.