Zbardhet ekspertiza: Olldashit i mori jetën xhami

zbardhet-ekspertiza-olldashit-i-mori-jet-euml-n-xhami_hd-300x168Ekspertiza e aksidentit fatal që i mori jetën Sokol Olldashit mbrëmjen e së mërkurës, ka ofruar përfundimet paraprake. Vendi i aksidentit, Krraba është kthyer ditën e djeshme në vëmendjen e ekspertëve të cilët për orë me radhë janë marrë me shenjat dhe dinamikën e ngjarjes.
Sokol Olldashi, ka humbur jetën nga plagët e shumta që ka marrë në kokë. Ky ka qenë konkluzioni i nxjerrë nga ekspertët e mjekësisë-ligjore. Ata kanë përcaktuar si shkak vdekjeprurës pikërisht përplasjen e kokës në xhamin e makinës, në momentet që automjeti ka nisur të rrotullohet në anë të rrugës. Informacionet mjeko-ligjore janë vënë edhe në ndihmë të ekspertëve teknikë si dhe hetuesve të çështjes, të cilët punuan në vendin e ngjarjes që në momentin e parë që u vunë në dijeni. Referuar të dhënave të besueshme që vijnë nga prokuroria, bëhet me dije se dje është bërë i mundur koordinimi i ekspertizave të ndryshme, ndonëse ende nuk është arritur në një konkluzion përfundimtar.

Me pak të dhëna që janë vënë në dispozicionin e hetuesve të çështjes nga personat që kanë patur dijeni rreth atij momenti fatal për jetën e Sokol Olldashit, ekspertët kanë bërë të mundur edhe hartimin e mekanizmit se si mund të ketë ndodhur aksidenti. Sipas të dhënave të hetimit bëhet me dije se dyshohet se që në momentin kur i ka ikur makina rruga ka qenë e mbushur me ujë dhe Olldashi nuk ka mundur të shquajë drejtimin e rrugës, kjo edhe falë errësirës. Ekspertët mendojnë se duke qenë se po fliste në telefon me shoferin e tij, manovra që ka tentuar të kryej ka ndodhur vonë, çka ka bërë që makina të pësojë spostim në krahun e shoferit. Duke parë edhe vendin e ngjarjes, ekspertët kanë arritur në përfundimin se në atë vend ku edhe makina ka dalë nga rruga është kryer manovër. Supozohet se makina është rrotulluar dy herë derisa është vendosur në pozicionin që është gjendur. Gjithashtu duke parë edhe plagët e shumta që i ndjeri kishte marrë në pjesët e kokës ekspertët pretendojnë se është përplasur në xhamin e makinës, ku përplasja ka qenë mjaft e fortë. Ai kishte dëmtime të rënda në qafë, gati fatale, dhe mpiksje gjaku në kokë nga goditjet.

Rrotullimi ka bërë që dyert të mbyllën hermetikisht duke e vështirësuar ndërhyrjen që t`i jepej ndonjë ndihmë, nëse do të kishte qenë e mundur që ta mbante në jetë. Mirëpo, sipas mjekëve përplasja ka qenë mjaft e fuqishme për sa kohë ka shkaktuar plagë të tilla në pjesën e kokës. Referuar të dhënave të prokurorisë, për të sqaruar rrethanat e këtij aksidenti do të merren në pyetje edhe shumë persona të cilët mund të hedhin dritë mbi atë çfarë mund të ketë ndodhur. Olldashi konsiderohej edhe si pilot për sa i përket drejtimit të makinës. Por ndryshe nga parashikimet e shumëkujt, nga matjet që janë bërë në vendin e ngjarjes, rezulton se automjeti në momentin e daljes nga rruga nuk ka qenë me shpejtësi të madhe, pasi Olldashi është munduar të manovrojë, për ta mbajtur makinën në rrugë, por që nuk ia arriti dot, shkruan Shekulli.

Olldashi po fliste me shoferin në telefon

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes, sapo ka dalë nga tuneli i Elbasanit, në segmentin lidhës me rrugën e vjetër, Olldashi po fliste me shoferin e tij që e priste në Tiranë. Sipas deklarimeve të bëra pas ngjarjes nga shoferi i tij, Bledi, Olldashi po i thoshte ta priste tek zyra. “Po flisnim në telefon, kur befas u dëgjua një zhurmë dhe telefoni u ndërpre…”. Ishte një natë e errët me shumë shi dhe për shkak të baltës rrëshqitja është shumë e mundshme. Ndërkaq, sipas këqyrjes së vendit të ngjarjes, del se deputeti nuk e kishte vendosur rripin e sigurimit. Makina ishte një Benz i ri, pra i kanë funksionuar gjithë airbag-ët, por nuk e kanë shpëtuar nga goditjet në kokë. Pas ndërprerjes së telefonatës, shoferi u ka telefonuar miqve të tij dhe policisë dhe janë nisur për në vendngjarje. Policia e gjeti Olldashin brenda makinës me celular në dorë dhe u verifikua se thirrja e fundit ishte bërë me Bledin shoferin e tij. Makina e deputetit ishte në pozicionin përmbys, rreth 30 metra jashtë karrexhatës, në pjerrtësi rreth 12 metra poshtë. “Mbërritëm në vend para policisë. Dyert ishin të kyçura, nuk hapeshin. Ishte e pamundur që t’i jepnim ndihmë Olldashit. Nuk kishte njeri tjetër në makinë, ishte vetëm. Nuk mund të aludohet ndryshe”, dëshmoi deputeti Cara. Pas shumë përpjekjeve të policisë, trupi i deputetit është nxjerrë nga makina disa minuta pas mesnate, për ta dërguar drejt morgut të Tiranës.

Më poshtë, mund të komentoni në lidhje me artikullin.



.
Kliko LIKE nëse të pëlqen artikulli