Yjet me urime shërimi për Mandelan e sëmurë

f1_31-mandela1364735912

Josh Groban dhe Geri Halliwell janë disa nga yjet që i kanë dërguar urimet e tyre Nelson Mandeles pas hospitalizimit të tij të mërkurën në mbrëmje.

Ish presidenti i Afrikës Jugore është shtruar në spital pasi i është rikthyer infeksioni i mushkërive, të cilin e kishte luftuar më herët gjatë dhjetorit.

Presidenti i vendit Jacob Zuma ka kërkuar nga njerëzit dashamirë që të luten për ish liderin dhe disa yje kanë shprehur urimet e tyre në Twitter.

Në një postim, Groban shkruan: “I dërgoj dashuri Nelson Mandelas, i cili është përsëri në spital. Shpresoj që shumë shpejt do të ndihet më mirë. Bota ka nevojë për të për aq kohë sa mund ta kemi.”

Halliwell shton: “Mendja ime është te Mandela, momentalisht jam duke lexuar “Long Walk To Freedom”, libër i mrekullueshëm, inspirues.”

Aktorja Holly Robinson Peete ka postuar një artikull që tregon detaje për shëndetin e Mandelas duke i uruar Mandelas 94 vjeçar të shërohet sa më shpejt.

Një deklaratë për gjendjen e Mandelas ka ardhur nga zëdhënësi i tij, Mac Maharaj, i cili tha për Sky News: “Momentalisht mjekët thonë që është rikthim i një infeksioni të vjetër në mushkëri. Është çështje shqetësuese. Janë duke bërë gjithçka për ta mbajtur rehat dhe të lumtur.”