Xherdan Shaqiri takohet me shqiptarë në Katar

loading...

f1_09-shakat1357753179-629x320

loading...
Stërvitja intensive që skuadra Bayern e Münchenit po zhvillon aktualisht në Doha të Katarit, para nisjes së fazës së dytë të kampionatit gjerman, nuk e pengoi aspak lojtarin me origjinë nga Kosova, Xherdan Shaqirin që të organizojë një takim të ngrohtë e miqësor me komunitetin e shqiptarëve në këtë vend.

Takimi u zhvillua menjëherë pas fitores spektakolare të Bayernit kundër Schalkes, në një ndeshje miqësore, me rezultat 5:0, e ku Shaqirit i mjaftoi vetëm një pjesë e lojës për t’i asistuar për një Mario Gomezit, raporton agjencia e lajmeve INA.

Në shkallët e stadiumit Al-Sadd, ku u zhvillua ndeshja, nuk ishte e vështirë të shquheshin brohoritjet e komunitetit shqiptar, që thërrisnin pa pushim emrin e Shaqirit. Jo vetëm për kënaqësinë e bashkëpatriotëve të tij, por edhe të gjithë sportdashësve të pranishëm në stadium, performanca e Shaqirit në këtë ndeshje ishte mbresëlënëse.

Shaqiri u shpreh i entuziazmuar dhe njëkohësisht i lumtur për mbështetjen që komuniteti shqiptar i Katarit i dha në fushën e futbollit, si dhe gatishmërinë e tyre për të ndarë disa çaste vëllazërore së bashku në hotel Grand Heritage, ku ekipi bavarez është akomoduar.

Shaqiri tha se tash e 6 muaj, sa luan me Bayernin, ai ndihet shumë komod dhe i vlerësuar nga ekipi dhe nga kolegët. Takimi u mbyll me urimet më të përzemërta të komunitetit shqiptar të Katarit për suksese të mëtejshme të Shaqirit në arenën ndërkombëtare.

loading...