Xhandari vrasës serb planifikonte të ikte në Kosovë

Vrasësi i dyfishtë, Aleksandar Kërstiq (33) ka pranuar vrasjen e dy të rinjve serbë para disa ditësh, trupat e të cilëve më pastaj i dogji në një veturë Audi te vendi Rekovac, ka planifikuar të ikë nga Kragujevci dhe të gjejë strehim te kushërinjtë e tij në Kosovë. Atij sot, pas një orë e gjysmë marrjeje në pyetje, gjyqtari hetues në Kralevë ia caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, njofton Blic, transmeton Koha.net.
Ai ka vrarë dy serbë të rin (28 e 29-vjeçar) nga Jagodina, kurse një ditë më pas me bashkëshorten e tij u nis drejt Kosovës, ku ka kushërinj. Por, policia e pengoi këtë ikje dhe e arrestoi. Sipas fjalëve të gruas së tij, ajo nuk ka ditur asgjë për vrasjen dhe ka menduar se në Kosovë po shkojnë për vizitë familjarëve të tij. Mirëpo, vrasësi thuhet të ketë pasur qëllim që të vendoset dhe të fshihe në Kosovë përgjithmonë për t’i ikur drejtësisë.
Vrasësi i dyfishtë është pjesëtar i xhandarmërisë serbe, kurse pas marrjesh vesh të këtij akti makabër të tij, madje edhe kreu i policisë serbe ka kërkuar nga komandanti i xhandarmërisë, Bozhidar Dikiq (në foto), që të japë dorëheqje.
Ai refuzoi të japë dorëheqje, por dje në kabinetin e kryeministrit Daçiq, ku ishte ftuar për bisedë, iu dorëzua vendimi për shkarkim nga kjo detyrë.