Xavi rinovon deri në vitin 2016, javën e ardhshme do të rinovojë edhe Messi

lionel-messi-xavi-hernandez

Për Lionel Messin afrohet në horizont rinovimi i kontratës. Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell bëri të ditur se klubi dhe sulmuesi argjentinas do të firmosin marrëveshjen e re të bashkëpunimit javën e ardhshme. Rosell gjithashtu zbuloi se në klubin blaugrana nuk ka mbërritur asnjë ofertë për Messin, e natyrisht edhe nëse do të kishte patur do të ishte refuzuar që në momentin e parë.

Numri një i klubit katalanas foli dhe për Viktor Valdes duke deklaruar se shpreson që portieri do të ndryshojë opinion për sa i përket qëndrimit që shprehu pak ditë më parë kur deklaroi se nuk do të qëndrojë te Barcelona pas përfundimit të kontratës aktuale që i skadon në vitin 2014-të.

Ndërkohë, Xavi Hernandez hodhi firmën në një kontratë të re me Barcelonës, e cila do të mbajë atë në “Camp Nou” deri në verën e vitit 2016. Firma mbi kontratë u hodh në zyrat e klubit, me 33-vjeçarin që firmosi në prani të presidentit Sandro Rosell. Kontrata aktuale e Xavit, një futbollist i formuar në ekipin e moshave të katalanasve, skadonte në vitin 2014.

“Është një ditë e veçantë për mua, pasi siguroj qëndrimin tim në një vend ku gjithmonë kam dashur të jem. Nuk kam asnjë qëllim tjetër përveçse të luaj deri në fund të karrierës sime me Barcelonën. E di që klubi ka bërë një sakrificë dhe e falenderoj për gjithçka. Do të përpiqem ta shpërblej duke ruajtur rendimentin e viteve të fundit”, deklaroi Xavi.

Mesfushori, i cili me 659 ndeshje të luajtura me fanelën e Barcelonës është lojtari me më shumë ndeshje në historinë e klubit, ka fituar gjashtë tituj kampionë të Spanjës dhe tre Champions në “Camp Nou”, si dhe një Botëror e dy Europianë me kombëtaren spanjolle.