Williamson, javën e ardhshme e publikon raportin me të gjeturat e hetimit

(I plotësuar) – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, priti në takim Kryeprokurorin e Task Forcës Speciale Hetuese, Clint Williamson dhe shefin e EULEX-it në Kosovë, Bern Borchardt.

Sipas një njoftimi të MD-së, takimi u realizua me rastin e përfundimit të mandatit të Williamson si udhëheqës i Task Forcës Speciale Hetuese.

Detyrë kjo të cilën e ka mbajtur për 3 vite dhe që pritet të përfundojë me publikimin e një raporti gjatë javës së ardhshme rreth të gjeturave të hetimit.

“Të pranishmit diskutuan për çështje relevante rreth funksionimit të Task Forcës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë me organet e drejtësisë në Kosovë dhe Qeverinë, duke veçuar se institucionet e Kosovës kanë ofruar bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në mbështetje të drejtësisë”, thuhet në fund të njoftimit.

Williamson nuk takon Thaçin, kërkon funksionalizimin e Gjykatës

Kryeprokurori i Task Forcws, Clint Williamson, e ka përfunduar takimin në Qeverinë e Kosovës.
Williamson, pasi ka takuar presidenten e vendit, ai është takuar në Ministrinë e Drejtësisë me ministrin Hajredin Kuçi, ndërsa të pranishëm në takim ishin edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ai i FSK-së, Agim Çeku.

Burime të Indeksonline brenda Qeverisë bëjnë të ditur se Williamson është interesuar të dijë rreth përgatitjeve që kanë bërë institucionet kosovare rreth ndryshimeve ligjore dhe Kushtetuese për të përmbushur gjitha kushtet e funksionalizimit sa më të shpejtë të Gjykatës Speciale për krimet e luftës që duhet të krijohet po sa të konstituohen institucionet e reja të vendit.
Williamson nuk e ka takuar fare kryeministrin Thaçi, ashtu siç raportohej nëpër media. /LajmeOnline/