Wikipedia, enciklopedia “e meshkujve”

wikipedialogo_785675666

 

Wikipedia, enciklopedia më e madhe online ka një problem. Nuk bëhet fjalë, ashtu sic ndodh rëndom, për mungesë fondesh apo për raportet me vendet që e cënsurojnë, por për një problem strukturor.

Bashkëthemeluesi James Wales bëri publik një fakt “diskriminues apo vetëdiskriminues”. Gjatë takimit të përvitshëm të “Wikimania”, Wales tha se në 100 bashkëpunëtorë të Wikipedia-s, 91 janë meshkuj dhe vetëm 9 femra.

Faqja enciklopedike online sic dihet funksionon dhe përditësohet me informacione nga vullnetarë. Kushdo që hap një llogari në këtë faqe, pasi kalon filtrat e nevojshëm të vendosur nga administratorët mund të shndërrohet në kontribues i “dijeve” të Wikipedia-s.

Këtu qendron edhe problemi strukturor sepse sipas të dhënave të publikuara nga vetë Wikipedia, femrat nuk parapëlqejnë të jenë aktive në shpërndarjen e dijeve në enciklopedinë online.

Në fakt, ka nga ata që thonë se ky nuk është problem vetëm i Wikipedia-s. Sipas tyre, i gjithë rrjeti Web 2.0 është një “krijesë mashkullore” dhe se krijuesit e tij janë meshkuj, ndërsa femrat e përdorin më shumë internetin për argëtim, që nga rrjetet sociale me hedhje fotosh e deri tek përdorimi për blerje online.