Vuajnë nga nanizmi, kjo është historia e dhimbshme e çiftit nga Dibra…

Ato janë ndër çiftet më simpatikë që mund të shihni, dhe pavarësisht problemeve fizike dhe varfërisë gjithmonë e kanë gjetur forcën dhe vullnetin për të vazhduar para.

Të tillë janë çifti nga Dibra që ndanë historinë e tyre mes problemeve fizike dhe varfërisë në emisionin “Me zemër të hapur” në Neës 24.

Ata vuajnë nga sëmundja e nanizmit dhe gjithë jetën janë diskriminuar për faktin që janë të shkurtër.

Demir Troca 34 vjeç dhe bashkëshortja e tij Emire 43 vjeç u martuan para 10 vitesh dhe jetojnë në zonën e Peshkopisë.

Ata kanë sjellë në jetë një vajzë, e cila quhet Rezarta dhe është 9 vjeç. Këtë vit shkollor Rezarta nisi dhe klasën e parë.

Çifti jeton vetëm në banesën e tyre me qira dhe trajtohen të tre me kemp, ku marrin vetëm 300 mijë lekë të vjetra. Jeta e tyre nuk është e lehtë, shkruan BW.

Ata përballen çdo ditë me varfërinë dhe mbi të gjitha me diskriminimin dhe kjo i vret më shumë nga çdo gjë tjetër.

“Të më hiqet qiraja e shtëpisë dhe të mos ma prekin pensionin”,- thotë ai në studio.

Ndërsa bashkëshortja e tij 10 vite më e madhe e nis dhe e mbyll ditën me punët e shtëpisë, vështirësitë ajo i has kudo.

Mobiljet nuk janë të përshtatshme për gjatësin që ajo ka, madje mes rrëfimit tregon se edhe një kafe arrin ta bëjë me vështirësi. Megjithatë ajo i hedh pas të gjitha këto dhe kërkon kushte më të mira për vajzës.

“Ju lutem më ndihmoni. Ma shoqëroni gocën me makinë për në shkollë, se nuk mundem ta çoj vetë. Tani nis shiu e bora. Ajo është e vogël në trup e bën rrugën 1 orë në këmbë”,- tha nëna.

Përpos vuajtjeve ata kanë dhe momente të bukura në jetën e tyre, sytë u qeshin ku tregojnë për të shkuarën kur rrëfejnë momentet e njohjes së tyre, apo momentin e dasmës.

Kjo është sfida e jetës së tyre! Të luftojnë me gjithçka për gjithçka, për t’u pranuar nga të tjerët, kështu siç i ka falur Zoti.