Vrau dy turistët çekë, ja çfarë kërkon Sokol Mjacaj

loading...


Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në korrik 2015, gjatë tentativës për t’u vjedhur automjetin kërkon prishjen e këtij vendimi. 20-vjeçari i është drejtuar Gjykatës së Lartë përmes një rekursi për vendimin e Gjykatës së Apelit Shkodër, që i dha formë të prerë dënimit të përjetshëm dhënë nga Shkalla e Parë.

Kërkesa e Mjacajt është regjistruar në Gjykatën e Lartë më 29 prill, ku pritet të shqyrtohet nga një Kolegj Penal i kryesuar nga gjyqtari Shkëlzen Selimi. Dërgimi i dosjes në ngarkim të Mjacajt në Gjykatën e Lartë u paralajmërua nga avokatja e tij mbrojtëse pas vendimit të Apelit. Sipas saj, gjyqi ndaj 20-vjeçarit Mjacaj ishte i paragjykuar.

“Që në Shkallën e Parë ky gjyq është paragjykuar kur nuk u pranua gjykimi i shkurtuar, edhe pse krimi është pranuar. Po ashtu, nuk është marrë parasysh kërkesa për ekzaminimin psikik nga psikologët dhe për mënyrën se si është rritur ai. Pavarësisht këtij vendimi të Apelit, unë nuk do të ndalem.

Do ta çoj këtë çështje deri në fund dhe do t’i drejtohem edhe Gjykatës së Strasburgut për të fituar të drejtën tonë”, u shpreh mbrojtësja Elvira Jakova pas vendimit të Apelit.

Sokol Mjacaj është autori i ngjarjes së bujshme të vrasjes së dy turistëve çekë, Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe, ngjarje e ndodhur më 4 korrik 2015 në afërsi të fshatit Prekal në Shkodër. Fillimisht ngjarja u dyshua si aksident rrugor, pasi automjeti “Nissan Patrol” u gjet i përmbysur në mes të rrugës. Ky dyshim u shua pas evidentimit të plagëve nga plumbat në trupat e pajetë të çekëve.

Sipas Prokurorisë, 20-vjeçari ka qenë si pasagjer në automjetin e dy çekëve. Gjatë rrugës ai ka nxjerrë nga një çantë që kishte me vete armën automatike dhe ka qëlluar drejtuesin e mjetit dhe partneren e tij.

Pas arrestimit, Mjacaj pranoi se nuk kishte pasur qëllim vrasjen e dy turistëve, por vetëm grabitjen e automjetit të tyre. /albeu.com/
sokol

loading...

loading...