Vrasja e Marijes për gjak, arrestohet në Port autori autori

Maria-17-vjece-qe-u-vra-per-gjakmarrje

Arrestohet ndërsa kthehej nga Italia një prej autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje të 17- vjeçares Marije Qukaj dhe gjyshit të saj. Arjan Prroj, 34 vjeç, ishte zbuluar nga Policia e Shkodrës se së bashku me dy të afërm të tij në kërkim kanë kryer krimin e dyfishtë në qershor të vitit të shkuar, në fshatin Kir. Në fshehtësi të plotë, pikërisht më 27 dhjetor, Gjykata e Apelit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Arjan Prrojin, me akuzën e vrasjes për gjakmarrje në bashkëpunim, si dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Durrësit, gjatë përpunimit të pasagjerëve të tragetit “Michela” të linjës Ankona–Durrës u bë kapja e shtetasit në kërkim Arjan Prroj, 34 vjeç, lindur e banues në Shkodër.

“Shtetasi në fjalë dyshohet se më datë 14.06.2012, rreth orës 15:40, për motive hasmërie, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë kanë vrarë në fshatin Kir, Shkodër, shtetasit Marije Qukaj, 17 vjeçe dhe Kolë Qukaj, 70 vjeç”, bëri të ditur Policia, ndërsa i arrestuari u transferua më pas në Komisariatin e Shkodrës. Policia e këtij rrethi pas disa muajsh hetimi çoi në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e personave të dyshuar.

Ata janë dy vëllezërit Prroj dhe xhaxhai i tyre, V.Prroj. Pas përfundimit të hetimeve, Policia ka arritur në përfundimin se vrasja e dyfishtë dyshohet të jetë bërë për motive hasmërie dhe se shënjestër e autorëve ka qenë shtetasi Kolë Qukaj, 70 vjeç. Ndërsa adoleshentja Maria është goditur aksidentalisht vetëm nga një plumb, pasi ajo në momentin e krimit ka qenë fare pranë gjyshit të saj, duke punuar tokën.

KONFLIKTI

Hasmëria mes dy fiseve Prroj dhe Qukaj nis me vrasjen në vitin 2010 të 63- vjeçarit Ndoc Prroj, që njëkohësisht është dhe babai i dy të dyshuarve kryesorë të vrasjes. Sherri më pas ka vazhduar duke u acaruar, derisa sot, pas 3 vitesh, numërohen tri viktima nga të dyja familjet. Sipas Policisë së Shkodrës, shkak i kësaj ngatërrese ka qenë pronësia mbi një vijë uji. Për këtë vrasje policia pati arrestuar Gjokë Qukajn, vëllain e 17-vjeçares.

Duke qenë se autori i vrasjes së Ndoc Prrojit ishte në burg, atëherë familjarët e fisit Prroj sipas Policisë, kanë vendosur që të marrin hak duke vrarë një nga meshkujt e fisit Qukaj. Ndaj kanë qëlluar për të vrarë 70- vjeçarin Kolë Qukaj, në kohën kur ai po punonte në tokat e familjes së tij. Prej kohësh, ngjarja rezultonte pa autor, derisa i është kërkuar Gjykatës të vendosej masa e arrestit në mungesë për tre të akuzuarit. Njëri prej tyre, pikërisht 34-vjeçari, u kap ndërsa po kthehej nga Italia. Pritet që ai të japë dhe dëshminë e tij mbi ngjarjen për të cilën akuzohet.