Vrasja e Artan Cukut, kjo është dëshmia që fundos edhe më shumë Mikel Shallarin

Shtohen dyshimet se Mikel Shallari është autori i vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku. Këtë herë ka dhënë dëshminë e tij në polici administratori i pallatit ku u krye vrasja. Ai ka qenë i pari person që është hasur me profilin e 24-vjeçarit, teksa ishte duke pritur ish-komisarin në hollin e pallatit.
Administratori ka pohuar në organet kompetente se personi i ndaluar nga policia është me tipare të njëjta me atë që kishte parë në shkallët e pallatit vetëm pak minuta para se Artan Çuku të ekzekutohej me pesë plumba.

Momentalisht prova kryesore e grupit të hetimit është analiza e ADN-së që përkon me atë të Mikel Shallarit dhe disa rroba sportive të gjetura në kazanët e plehrave. Pikërisht në koshat e mbeturinave, Policia gjeti një qese me rroba të cilat pas ekspertizës dhe analizës së ADN-së rezultuan se ishin të Mikel Shallarit.

Dyshohet se menjëherë pasi qëlloi 5 herë ndaj Artan Çukut, Mikel Shallari iku në këmbë në lagjet pranë rrugës së Kosovarëve. Pikërisht para se të dilte në Sheshin “Ëilson”, 24-vjeçari ka hequr një bluzë blu që mbante veshur e dorashkat dhe i ka futur në një qese, të cilën e ka hedhur tek koshat e mbeturinave.

Pikërisht tek bluza me ngjyrë blu, u gjetën fije floku të cilat pasi u krahasuan në kushte laboratorike dhe shkencore, u gjet ADN-ja e Mikel Shallarit. Ndërkohë i riu pasi hodhi rrobat në koshin e mbeturinave besohet se, u largua në këmbë drejt “Qytetit Studenti” ku jetonte në një banesë private me qira. Shallari pas arrestimit nga policia është marrë gjatë në pyetje, por në asnjë moment nuk ka pranuar autorësinë e krimit.