Vogëlushja shqiptare prej një viti pa varr/Të atin ia mbytën shirat, xhaxhai: Jap jetën time ta gjej

loading...

loading...

Një vit më parë, lagja Hasanbeg në Shkup, e dominuar nga shqiptarë, do përjetonte orë llahtari si pasojë e vërshimeve nga reshje të pazakonta shiu. Për pak orë, gjithçka përfundoi nën ujë duke mos kursyer as jetë njerëzore.

Më rëndë nga kjo e dyta e pësoi familja Fejzullai, ku djali Furkani, së bashku më të bijën 16-muajshe, Elifen, lanë frymën e fundit mes ujërave të tërbuar. Por tragjedia vijon ende, teksa e mitura nuk është gjendur dot as pas një viti. Ajo sot është pa varr, duke jua gërryer shpirtrat të afërmve të saj e nënës sidomos.

Xhemuli, vëllai i Furkanit dhe xhaxhai Elifes pa varr, nuk i mban dot lotët as sot dhe gjoks shtrënguar nga dhimbja, me zor pëshpërit ca fjalë….

Si e kujtoni humbjen e mbesës dhe vëllait pas një viti?

Mjaft rëndë! Nuk mundem të flas nga mërzia e madhe që e përjetojmë, e sidomos tani që po bëhen një vit nga humbja e dy më të dashurve tonë të familjes. Në veçanti familja e përjeton më së keqi humbjen e vëllait dhe mbesës në momentet kur shkojmë për vizitë te vari i tij dhe aty mungon vari i Elifes së vogël. Është shumë rëndë por s’kemi çfarë të bëjmë, ka qenë caktim i Allahut dhe kësaj askush s’mund t’i ikë.

Në çfarë drejtimi po shkon jeta e fëmijëve jetimë, kush po përkujdeset për ata?

Si mund të jetë ndryshe, pikëllim, pikëllim! Për momentin, që nga vdekja e vëllait, për fëmijët e tjerë, Erinën 6-vjeçare dhe Erminën 5-vjeçare përkujdeset nëna e tyre dhe e gjithë familja jonë. Nuk kalon ditë pa i përmendur si ne po edhe fëmijët. Shpesh herë i kujtojnë momentet më të mira të jetës, si kanë kaluar si janë kënaqur me babain e tyre.

Po të ishte e mundur, me çfarë do e kishit këmbyer (ndërruar) gjetjen e trupit të pajetë të Elifes së vogël?

Ashtu sikurse vëllai, edhe unë nuk do ta kisha kursyer veten dhe jetën time vetëm për ta gjetur Elifen e vogël, që ta varrosim pranë babait të saj, Furkanit.

Përveç humbjes së vëllait, ju keni pësuar dëme të mëdha edhe në aspektin material nga vërshimet. Sa keni arritur të rimëkëmbeni?

Kur jemi te dëmet materiale, jo vetëm unë, por i gjithë fshati Hasanbeg sot e kësaj dite jemi duke punuar dhe rregulluar shtëpitë e shkatërruara, dhe ende nuk kemi ardhur në vete plotësisht. Ndonëse tash ne si familje kemi ndërtuar një shtëpi tjetër, Ermina 5-vjeçare thotë se më mirë te shtëpia e vjetër se te e reja, atëherë e kishim edhe babin edhe Elifin./Mensur Krasniqi/tesheshi.com

loading...