Vodka e shqiptarit, “më e dashura” në botë

loading...

loading...
Vodka polake “Konik’s Tail” e Pleurat Shabanit, që është zhvilluar me para “sa për një lidhëse këpucësh”, është votuar lloji “më i dashur” i vodkës nga 50 baret udhëheqëse të botës.“Nuk jam prezent madje në shumë prej tyre, andaj edhe jam shumë i befasuar”, thotë ai. “Rivalët e mi janë të gjithë marka multimilionëshe. Biznesi im jam vetëm unë”.

Çmimi, i ndarë nga publikimi i industrisë “Drinks International”, tregon se z. Shabani sheh kërkesa për vodkën e tij, që aktualisht është në dispozicion vetëm në Britaninë e Madhe, që vijnë nga qytete që përfshijnë New Yorkun dhe Moskën.

Z. Shabani, i cili ende nuk e ka punësuar punëtorin e parë, tha se është në bisedime me agjencitë e eksportit dhe do të duhet të gjejë financim “për të përmbushur kërkesën dhe për të shfrytëzuar momentin” që erdhi nga suksesi i tij i arritur.

Kur z. Shabani fillimisht shkoi për të kërkuar financim për të nisur kompaninë e tij, ai u refuzua nga po thuaj “çdo firmë nga lista e Asociacionit të Ndërmarrjeve Britanike për Tregtim Kapitali” – dhe nga shumë investitorë privatë, po ashtu.

Investitorët thanë se z. Shabani ka “mungesë përvoje” dhe po përpiqej të hynte në një treg të mbushur të vodkës ku do të kishte nevojë për një buxhet shumë të madh marketingu për të hapur çfarëdo rruge.

I patrembur, ai e financoi biznesin e tij me një rreth të vogël “miqsh dhe familjarësh” dhe më pas vetëm nga të hyrat. “Kam bërë gjithçka me para sa për një lidhëse këpuce dhe kam harxhuar zero para për marketing”.

Pasi kaloi disa muaj duke e përpunuar recetën – që përfshinte edhe kampim në pyjet polake për të gjetur përbërësit e duhur – ai me punë të lodhshme i ndërtoi marrëdhëniet me baret kryesore të Londrës dhe me shitësit e pijeve alkoolike.

Dukja e shishes është dizajnuar nga Hugh Laurie si favor – bashkëshortja e z. Shabani dikur ka punuar si asistente personale e aktorit – por ai nuk e shfrytëzoi fort këtë përkrahje. “Preferoj që vetë pija të flasë për veten”.

Ai tani prodhon 400 pako me nga nëntë litra të pijes në vit dhe furnizon 600 bare dhe shitës të specializuar në tërë Britaninë. “Konik’s Tail” (“Bishti i Konikut”) ishte po ashtu vodka më e shitur në Selfridges gjatë periudhës së Kërshëndellave.

loading...