Vjen kërcënimi i parë për vjehrrin e nuses nga Durrësi që tentoi t’ia vriste gruan…

Ashtu si e bija, nusja që helmoi vjehrrën në Durrës, edhe babai i 19-vjeçares Elda Tanushi akuzon vjehrrin e saj për përdhunim, duke deklaruar se tashmë ai i ka borxh për atë që ka ndodhur.

Sipas Baftjar Tanushit, e bija ka pasur një arsye të fortë që e ka bërë atë veprim dhe kjo arsye, sipas tij, është abuzimi seksual që ka pasur në shtëpinë e burrit.

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Tanushi e drejton gishtin tek Eduart Stafa, duke e denoncuar publikisht për përdhunimin e vajzës.

Ai shprehet se e bija nuk i kishte treguar asgjë, përveç faktit se prindërit e të shoqit e keqtrajtonin. Por në Prokurori ka mësuar edhe deklarimet e vajzës, e cila kishte deponuar se ndaj saj kishte abuzuar seksualisht vjehrri 48-vjeçar.

“Vajza ka dhënë një dëshmi tronditëse. Ajo ka deklaruar se është përdhunuar nga vjehrri, Eduart Stafa, 48 vjeç. Tani Eduart Stafa më ka një borxh të madh pas asaj që i ka bërë vajzës sime”, shprehet babai i Elda Tanushit.

Ndërsa tregon se në momentin që e bija do të lirohet, do ta marrë me vete në shtëpinë e tij e nuk do të lejojë më që kjo martesë të vazhdojë.

A ju kishte vënë në dijeni vajza për ndonjë problem që kishte me prindërit e të shoqit?
Ajo më ishte ankuar vazhdimisht se vjehrri dhe vjehrra silleshin keq me të, e keqtrajtonin. Për këtë arsye, prej disa muajsh unë i kam kërkuar Eldës që ta linte atë familje dhe të kthehej në fshat të jetonte prapë nesh. Por ajo nuk më dëgjonte. Për këtë arsye nuk i kam pasur shumë të mira marrëdhëniet me vajzën, pasi kishim debatuar pse ajo nuk ikte nga ajo shtëpi. Por vajza më kishte thënë se e keqtrajtonin, jo që e kishte përdhunuar vjehrri. Kjo është shumë e rëndë.

Si e morët vesh që është përdhunuar?
Sot (dje) takova në Durrës prokurorin e çështjes dhe ai më tregoi dëshminë e vajzës që është arrestuar. Vajza ka dhënë një dëshmi tronditëse. Ajo ka deklaruar se është përdhunuar nga vjehrri, Eduart Stafa, 48 vjeç. Për momentin nuk e kam besuar atë çfarë vajza kishte dëshmuar në Polici, por kur bëj lidhjen e fjalëve të vajzës para disa muajve dhe ngjarjes së fundit, besoj plotësisht se vajza jo vetëm është keqtrajtuar, por edhe është dhunuar seksualisht nga babai i burrit të saj. Në gjykatë do të jepet masa e sigurisë.

Keni ndonjë shpresë se vajza mund të lirohet?
Shpresoj që gjykata ta lërë të lirë vajzën time. Ajo ka pasur një hall të madh, kur ka tentuar të helmojë vjehrrën. Unë jam malësor dhe Eduart Stafa më ka një borxh të madh për atë që ka bërë. Ai ka shkelur nderin e familjes sonë. Do të jem i pranishëm në Gjykatë dhe jam i bindur se provat dhe faktet që vajza disponon do ta bindin gjykatën të vendosë lirimin e vajzës sime. Pas lirimit, vajzën do ta marr në fshat, të banojë e të jetojë me ne. Ajo është ndierë shumë keq kur ka ndërmarrë një veprim të tillë