Vjehrri fundos nusen që helmoi vjerrën: Kishte të dashur një burrë të madh, në telefon i gjeta…

Nusja nuk e ka dashur djalin tim. Atë e kanë martuar me zor prindërit e saj. Elda pranoi vetë në polici se e helmoi gruan time dhe se do të më helmonte dhe mua e veten e saj. I gjithë faji është i krushkut që arriti puna deri këtu.

Pastaj vajza e tij dashuron një burrë me dy fëmijë nga fshati i saj i lindjes, në Zall-Reç të Dibrës. Ia kam gjetur mesazhet e dashurisë në celularin tim. Gjithashtu, nuses së tim biri i kam gjetur edhe një mal me letra dashurie. Të gjitha këto prova ia kam dorëzuar policisë”. Kështu deklaroi dje Eduart Stafa nga fshati Milaq i Shijakut.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 47- vjeçari tha se djali i tij 20-vjeçar u martua me shkuesi me vajzën 19-vjeçare nga Dibra dhe se mblesë u bë halla e kësaj të fundit, që është e martuar në fshatin Milaq. Ndërkaq, vjehrri i 19-vjeçares pohoi se krushku nga Dibra ia dërgoi të birin, Donaldin në Greqi pa dijeninë e tij dhe pa dokumente dhe ky është halli më i madh i tij.

Zoti Eduart, policia ka arrestuar nusen e djalit tuaj, pasi akuzohet se ka tentuar të helmojë bashkëshorten tënde, Arjanën. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë ngjarjeje?

Nusja e tim biri, Elda Tanushi u arrestua nga policia, pasi e denoncova unë. Ishte djali i vogël që më lajmëroi se ime shoqe ishte sëmurë. E çuam urgjentisht në spital dhe aty mësuam se gruaja ime ishte helmuar, pasi nusja i kishte hedhur helm në gotën e kosit. Jam shumë i tronditur nga kjo që ndodhi.

Ju jeni i sigurt se nusja helmoi gruan tuaj?

Po, jam mëse i sigurt. Pastaj ajo vetë pranoi në polici se i kishte hedhur në gotë helm që përdorim kundër insekteve. Ajo e kishte vendosur të më helmonte dhe mua dhe pastaj veten e saj.

Nga e njohët 19-vjeçaren nga Dibra?

Elda ka hallën e saj të martuar në fshatin tonë. Kjo e fundit ndërhyri të martonte mbesën e saj me djalin tim të madh, Donaldin. Por, nusja s’e ka dashur asnjëherë djalin tim. Krushku e martoi të bijën këtu pa dëshirën e saj. Ai e ka ditur fort mirë se e bija nuk e donte djalin tim.

Përse e thoni këtë?

E them këtë se nusja do dikë tjetër. E kam zbuluar nga telefoni im. Duke qenë se në shtëpinë time s’kishte njeri tjetër telefon, ajo më kërkonte për çdo ditë që t’i jepja celularin për të folur me nënën, babain, vëllain dhe njerëzit e saj. Unë ia jepja, pasi e konsideroja si fëmijën tim. Zbulova se ajo fliste me të dashurin e saj, që është një burrë i madh në moshë (thotë emrin dhe mbiemrin e tij). Ky burri është nga fshati Zall-Reç, ka dy fëmijë, por i ka vdekur gruaja.

Ju po e akuzoni nusen e djalit, ku i keni SMS-të që dëshmojnë lidhjen e saj jashtëmartesore?

Nuk po e akuzoj, por po them një të vërtetë. Celularin tim e ka policia për verifikim. Aty gjenden dhe SMS-të e nuses me të dashurin e saj. Por, unë kam dhe prova të tjera që ia kam dorëzuar gjithashtu policisë. Në banesën time kam gjetur një mal me letra dashurie. E përsëris, jam i sigurt se ajo nuk e ka dashur djalin tim dhe prindërit e kanë martuar me zor. Elda ka grisur të gjitha fotot e bëra në dasmë.

Ka ruajtur vetëm ato ku ka dalë me kushërinjtë e saj. Nuk ka asnjë fotografi me ne. Gjithë këtë e ka bërë krushku. Me nusen jam sjellë si baba, pasi kam tre djem dhe nuk kam vajzë. Pse duhet ta bënte ajo atë gjë që bëri, kur ne silleshim shumë mirë me të?! Ne ushqeheshim me duart e saj. Ajo bënte bukën e gjellën, ne e hanim. Jeta e gjithë familjes sime ishte në duart e saj. Por, problemi im më i madh nuk është e gjithë kjo që ndodhi. Halli im më i madh është im bir që ndodhet në Greqi.