Vjehrra më vardiset!

Tash sapo i mbusha të tridhjetat. Jam martuar para dy vjetësh me femrën të cilën e dashuroj shumë. Bashkë me të shkoj shpesh në familjen e saj dhe më presin mirë, kryesisht vjehrra. Ulet pranë meje, shpeshherë edhe më prek kinse rastësisht, e unë skuqem, sepse nuk di si të sillem me të, shkruan Memli, nga një fshat i Pejës.

Me Menten u njoha para pak vitesh, në kohën kur ajo veç ishte maturante në gjimnazin e Pejës. Unë aso kohe studioja në Prishtinë, por njohja jonë ndodhi kur një shoqe imja ndodhej me të në kafeterinë “Drini”, në Pejë. Isha me disa shokë kur ajo u nda nga shoqja e saj dhe erdhi të më përshëndet. Si me humor i thashë:

“Pse nuk erdhi edhe shoqja jote të më përshëndet?”. E ajo ma ktheu: “Do ta njohësh?”. “Si jo!”, i thashë. Dhe, u ngrita e bashkë me shoqen time u nisa drejt saj. “Jam Memli”, i thashë.

“E unë jam Menta”, ma ktheu. U ula me to dhe nisëm të bisedonim. Folëm e folëm dhe në fund e lamë të takohemi përsëri nesër, po në të njëjtën kohë e në të njëjtin lokal.

Nata më kaloi pa asnjë “pikë” gjumë, sepse Menta më pëlqeu që në shikim të parë. Dhe, u takuam të nesërmen, pastaj ditën tjetër, derisa pas një muaji edhe shkëmbyem puthjen e parë. Ishte një kënaqësi që as sot nuk e harroj dot… Pas tre vjet të lidhjes sonë u fejuam dhe në vjeshtën e po atij viti edhe u martuam… Unë edhe sot e kësaj dite jetoj dhe punoj në fshatin tim.

Por, shpesh na bie me Mentën të shkojmë në familjen e saj në Pejë. Më presin mirë, kryesisht vjehrra ka një afri shumë të madhe me mua, ani pse ajo i ka kaluar të 50-at. E kam vërejtur, sidomos kohëve të fundit, se sa herë që del Menta të bëj ndonjë punë, bie fjala, t’i bëjë kafetë apo edhe të sjellë ndonjë pije, ime vjehërr afrohet afër meje dhe herë-herë kinse pa dashje edhe më prek dorën time apo edhe ndonjë pjesë tjetër të trupit.

Unë po hutohem dhe nuk po di si të veproj. T’i tregoj Mentës mund të keqkuptohet. Por, edhe të heshtë po më duket se nuk po veproj mirë…

Herë-herë më shkon mendja se mos e ka nga kultura, respekti apo… Por, mua, si pa dashje, po më shkon mendja se ajo po më provokon. Pse? Këtë nuk po e di… /Memli