Vjedhjet në lagjet e Prishtinës, shqetësojnë banorët

loading...

loading...
Pothuajse në secilën shtëpi të lagjes ka plaçkitje nga hajnat, dhe tashmë kjo është bërë dukuri. “Sa herë që zgjohem në mëngjes dëgjoj se komshinjve, sikurse mua që më kanë vjedhur një agregat dhe disa pajisje tjera, u kanë vjedhur gjëra të ndryshme”, tregoi banorja Zoja Krasniqi, nga një lagje e Prishtinës.

E Sinan Hajdari, i cili banon në një banesë kolektive në lagjen “Dardania”, tha se duhet të shtohen patrullat e Policisë nëpër lagje sidomos tash gjatë verës. “Vjedhje ka pasur edhe më herët, por tash gjatë kohës së verës kur është edhe koha e pushimeve, kjo dukuri mendoj se është shpeshtuar”, tha ky banor. Hajdari i bën apel Policisë, në çdo lagje të shtohen patrullat në mënyrë që të zihen ata që i kryejnë këto vepra.

Ndërkaq zyrtarë nga Policia e Kosovës, kanë njoftuar se PK, në gjithë vendin, edhe në kryeqytet, është duke e zbatuar strategjinë dhe planifikimin e veprimit të Policisë në Bashkësi duke filluar nga viti 2012-2016, me të cilën janë bërë ndarje sektoriale në zona të caktuara të lagjeve. “Nga zyrtarë policorë bëhet mbulimi i terrenit, të cilët patrullojnë me qëllim të vënies së rendit dhe qetësisë, varësisht nga informimi i banorëve, apo koordinatorëve të banesave”, tha Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, duke shtuar se gjatë patrullimit nëpër lagje ka edhe policë me rroba civile. Kjo strategji, sipas tij, është në fazën e implementimit dhe për fillim po tregon rezultate të mira, në ngritjen e sigurisë.

“Duhet kohë dhe punë për ta implementuar këtë strategji në të gjitha zonat për ta ngritur nivelin e sigurisë”, tha ai. Më tutje Kelani, njoftoi se edhe Drejtoritë Rajonale, tashmë në sezonin e verës, kanë bërë plane të veçanta të cilat janë në fazën e implementimit, të cilat parashohin ndërmarrjen e masave policore, ruajtjen e rendit dhe qetësisë, dhe arrestim të personave që kryejnë vepra penale, duke përfshirë edhe vjedhjet. Ai kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, në mënyrë që së bashku të kontribuojnë në ngritjen e sigurisë.

Edhe Ibush Kelmendi, shef i Sektorit të Emergjencave, në Komunën e Prishtinës, tha se nga viti i kaluar, së bashku me PK, janë duke aplikuar strategjinë për rritjen e sigurisë në Bashkësi. “Bazuar në Ligjin për Polici dhe udhëzimit administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi formuar Këshillin komunal për siguri në Bashkësi,transmeton zeri.

“Çështja e sigurisë është kompetencë e Policisë, ndërkaq ne kemi formuar 200 këshille të Bashkësisë nëpër banesa, gjegjësisht secila hyrje e banesës e ka koordinatorin, të cilët na informojnë neve dhe PK-në, krejt çka ndodh nëpër banesa. Kjo dukuri vazhdon të mbetet aktuale, sidomos nëpër banesa kolektive ku nuk njihen banorët në mes vete. Por kjo dukuri është shqetësuese edhe nëpër lagje periferike”, tha Kelmendi, i cili më tutje njoftoi se bashkëpunimi me PK-në, është shumë i mirë./LajmeOnline/

loading...