Vetitë kuruese të vishnjeve dhe bishtave të tyre

Për qëllime mjekësore përdoren frutat e vishnjes dhe bishtat e tyre të thara. Frutat grumbullohen në periudhën e pjekurisë dhe thahen në vende të ajrosura.

Bishtat thahen në hije; ato kanë ngjyrë të gjelbër të murrme, pa erë, me shije të hidhur. Gjithashtu, përdoret lëvorja e degëve dhe tuli i vishnjës.

Frutat e vishnjës janë të shijshme, ato përdoren për konsum të freskëta dhe të përpunuara në trajtë reçeli, kompostoje, prevedeje, likeresh etj. Frutat kanë vlera të mira ushqyese: ato përmbajnë rreth 9 për qind sheqerna, acide organike me shumicë, vitamina A, C, P, PP, B1, B2 etj. Bishtat e frutave kanë gjetur përdorim të mirë për arsye të vetive të tyre diuretike dhe rrudhëse.

Me to janë luftuar me sukses gurët dhe rëra e veshkave. Frutat e vishnjës janë freskuese, shuajnë etjen, pranohen mirë nga stomaku, ndihmojnë tretjen dhe, kur përdoren në mënyrë sistematike, ndikojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë, pastrojnë gjakun duke e pasuruar atë me elemente të reja dhe luftojnë aneminë.

Frutat e vishnjës kanë veti diuretike, ato këshillohen t’i konsumojnë ata që vuajnë nga veshkat. Vishnja ka të gjitha vlerat ushqimore e dietike dhe vetitë farmaceutike që ka qershia, por ajo i ka më të theksuara vetitë rrudhëse e freskuese.