Vetëvendosje i ka borxh PDK-së

Politikani Naim Maloku, i cili së fundi aderoi në AKR, duke komentuar zhvillimet e fundit rreth seancës konstituive të Kuvendit, thotë se Vetëvendosje i ka borxh PDK-së për mbështetjen që ia ka dhënë në zgjedhjen e Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.

“Po të kishte vetëm pak moral politik ky subjekt së paku do të duhej të mbështeste kandidaturën e PDK-së për Kryetar të Kuvendit”, ka thënë Maloku për Kosova Sot.

Sa i përket seancës konstituive, Naim Maloku ka deklaruar se heshtja e ndërkombëtarëve karshi zgjedhjes së Isa Mustafës është një detektim i shkeljeve serioze që janë bërë me lojërat politike në seancën e 17 korrikut, prandaj, sipas tij, pritet me të drejtë anulimi i kësaj seance nga Gjykata Kushtetuese.

Ai beson në futjen e figurave të reja për Kryetar Kuvendi nga të dyja blloqet, fillimisht nga PDK-ja si parti fituese e zgjedhjeve.

“Në rast të dështimit të sigurimit të votave, për të mos bllokuar procesin me shkuarje në zgjedhje të reja, do të ketë interpretim të atillë që Kushtetuesja t’i japë të drejtë edhe bllokut të koalicionit paszgjedhor të subjekteve politike të opozitës që të propozojnë dhe të kërkojnë votat për kandidatin e tyre për kryeparlamentar”.

“Në këtë variant të ri, Isa Mustafa nuk do të duhej ta kishte më të drejtën e kandidimit, pasi është evidentuar si pjesë e bllokut politik që ka bërë shkelje kushtetuese e procedurale për inate politike”.

“Ndërkombëtarët janë duke pritur se si do të zhvillohet situata tani, në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese. Me siguri Kushtetuesja do të vendosë në konformitet me vendimin për të drejtën e nominimit të Kryeministrit. Fillimisht partia e parë e dalë nga zgjedhjet, e më pastaj koalicioni tjetër, sepse fituesi i zgjedhjeve është PDK’ja dhe dihet se çfarë do të jetë afërsisht interpretimi i tanishëm”.

“Partia e parë do ta ketë të drejtën të propozojë dy kandidatë, njërin për Kryetar Kuvendi dhe tjetrin për Nënkryetar”, ka thënë Maloku për Kosova Sot.

Sipas Malokut, nëse e konteston Gjykata Kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës, atëherë i njëjti nuk ka të drejtë të rikandidohet.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e sjell situatën në pikën zero, Isa Mustafa nuk do të duhej të kandidohej, sepse faktikisht ai është djeg në procedurën e kandidimit dhe përpjekjes për zgjedhje në seancën e 17 korrikut”.

“Ndërkombëtarët e kanë parë që në të dyja blloqet ka qenë një pozicion i padefinuar, se të dyja blloqet i kanë pasur shpresat e mbështetjes vetëm te minoritetet. Edhe po të ishte kandiduar dhe votuar i pari, propozimi i kandidatit të PDK-së, shpresat i kanë pasur te minoritetet, lista ‘Srpska’ e Aleksandër Vuçiqit, njësoj sikur te LDK’ja, për kryeparlamentarin”.