Vendi më i ndyrë në qendër të Elbasanit, merret drogë e kryhet prostitucion

Kush do ta besonte, por është realitet. Në qendër të Elbasanit, pikërisht poshtë kullës së sahatit, në anë të portës së kalasë, gjendet vendi më i ndyrë në këtë qytet.

Banorët shprehen se, natën, por edhe ditën, aty gjen përdorues të drogës, ndërkohë që vendi i errët shfrytëzohet edhe për prostitucion ashtu shpejt e shpejt.

Shqetësimi ngrihet nga vetë qytetarët të cilët kërkojnë që kjo pjesë më e pështirë e kalasë, qendrës historike të qytetit, duhet të shfaroset njëherë e mirë.

Ata shprehen se kanë parë me sytë e tyre, si përdorues, ashtu dhe akte të turpshme. Ndaj i kërkojnë pushtetit vendor dhe organeve kompetente që të marrin masa.

Nëse hedh një vështrim në këtë skutë sheh shiringa, por edhe veshje të pista e gjëra që thjesht ta shpifin. Dikur aty ishin disa zanatçinj që merreshin me riparime këpucësh dhe zeje tradicionale. Por tashmë është një gërmadhë.

Ditët e fundit ka pasur një reagim nga pushteti vendor. Duke marr shkas edhe nga një projekt që po aplikohet në të dy rrugët e lagjes kala në hyrje të portës kryesore të saj. Ndoshta makthi i banorë do të marrë fund, dhe pamja e vrazhdë për turistët nuk do të shfaqet as në objektivin e aparatit të tyre fotografik./infoelbasani.al/