“Vëllai u nxi nga duart, mjeku s’na hapte telefonin e na vdiq në duar”, motra bën rrëfimin e dhimbshëm

loading...

loading...

Familjarët e Tomorr Mançes, 49-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Beratit pas shqetësimeve nga tensioni i lartë, akuzojnë mjekët për mungesë vigjilence në trajtim.

Babai i tre fëmijëve ndodhej prej 24 orësh në repartin e Patologjisë, kur vdiq nga një goditje në zemër. Në banesën e 49-vjeçarit, baba i tre fëmijëve, veç dhimbjes, familjarët kanë mbi supe dhe pengun për vdekjen e papritur të të afërmit të tyre, i cili ndonëse nuk kishte më parë probleme me shëndetin, sipas tyre vdiq në spital për faj të mjekëve. Motra e tij, Alketa, akuzon drejtpërdrejt për këtë mjekun Miltiadh Vevecka.

Çfarë ndodhi gjatë orëve që qëndruat në spital?

E gjeta duke marrë serumin dhe më tha që kishte dalë me tension të lartë e me diabet, për këtë duhej që të kurohej. Madje mësova që mjeku që e kishte shtruar, Miltiadh Vevecka, i kishte bërë dhe skaner dhe për fat të mirë u gëzova që i kishte dal mirë e nuk i ishte prekur truri nga tensioni.

Çfarë nuk shkoi siç duhet?

Gjatë gjithë orëve të pasdites vinin vetëm infermieret, hynin dhe dilnin dhe thoshin që gjithçka ishte mirë, pasi nuk kishte asnjë problem pas marrjes së medikamenteve në serum. Vëllai kishte probleme me mbytjen, pasi kishte bllokim në fyt nga sekrecionet dhe kjo vinte, sipas infermiereve, nga diabeti dhe se do t’i kalonte. Kështu ka kaluar gjithë nata me këtë shqetësim. E kemi telefonuar me mijëra herë mjekun që e shtroi, për ta pyetur nëse do të vinte ta shikonte, por nuk u përgjigj. Prisnim që të vinte mëngjesi për të ardhur mjeku për ndonjë konsultë apo vizitë, por askush nuk erdhi deri në mëngjes që vëllai vdiq.

Çfarë ndodhi konkretisht në mëngjes?

Aty nga ora 07:00, ndërsa po prisnim doktorët që gjatë natës nuk u shfaqën, vëllai u nxi nga duart dhe më pas nga buzët. Ne u alarmuam dhe kërkuan ndihmë, sepse po mbytej. U kërkuam infermiereve që t’i vinin aparatin për sekrecionet, sepse i mbahej fryma, por na thanë që është në reanimacion dhe nuk mund të dalë prej andej. Vetëm pasi i kemi dhënë 10 mijë lekë (të vjetra), infermieret sollën aparatin, por këto ishin çastet e fundit për vëllain, pasi ai pësoi atak në ato çaste. Infermierja e turnit i bëri goditje në zemër, për ta rikthyer në jetë. Në këto çaste vendosën që ta fusnin në reanimacion, por gjithçka ishte e kotë, sepse pak momente më pas ai ndërroi jetë.

Çfarë kërkoni nga drejtësia? Keni bërë denoncim në polici për vdekjen duke bërë përgjegjës mjekët?

Ai shkoi në spital për shkak të tensionit e diabetit dhe nuk e mbajtën një ditë më parë. Për këtë fajësojmë mjekët. Vëllai ishte keq gjithë natës dhe as mjeku neurolog që e shtroi, as ndonjë mjek tjetër nuk erdhi ta shikonte. Në çastet e fundit, askush nuk e pa derisa iku nga kjo jetë. Për të gjitha këto kërkoj drejtësi dhe do ta ndjekim çështjen deri në fund, sepse vëllai ynë nuk ishte i sëmurë dhe iku për faj të mjekëve.

Vdes në spital nga ataku, familjarët: Mjekët s’reaguan

Spitali Rajonal i Beratit është kthyer sërish në epiqendër të akuzave. Një 49- vjeçar, pak orë pasi ishte paraqitur në spital, pasi kishte shqetësime nga tensioni i lartë në gjak, ndërroi jetë nga një atak kardiak.

Tomorr Mançe humbi jetën mesnatën e së shtunës në Repartin e Reamimacionit, pranë spitalit të këtij qyteti, ndërsa ndodhej nën terapi intensive. 49-vjeçari, banor i fshatit Dyshnik, në njësinë administrative Otllak, mësohet se ka mbërritur pasditen e së shtunës në spital me tension të lartë.

Babai i tre fëmijëve ka marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që sipas mjekëve, rrugës për në spital,, si pasojë e tensionit të lartë të gjakut, kishte pësuar një atak kardiak.

Me gjithë ndihmën intensive të dhënë nga bluzat e bardha, 49- vjeçari ka ndërruar jetë disa orë më pas. Trupi i pajetë është dërguar për në morgun e spitalit, ku i është nënshtruar dhe vizitës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun që i solli vdekjen 49-vjeçarit.

Informacioni i parë ka mbërritur më pas në sallën operative të organeve blu, ku vetë mjekët kanë njoftuar për ngjarjen e ndodhur. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut, menjëherë pas mbërritjes së ekspertëve në spital, kanë reaguar dhe familjarët e Mançes.

Në njoftimin zyrtar të Policisë mësohet se, familjarët e 49- vjeçarit pretendojnë për një mjekim të pakujdesshëm nga ana e mjekëve. Sipas deklaratave të para mësohet se Tomorr Mançe nuk ka marrë ndihmën e duhur në kohë nga ana e mjekëve të urgjencës, aty ku ka mbërritur fillimisht.

Sipas tyre, 49-vjeçari nuk vuante kurrë më parë nga problemet e zemrës dhe tensioni i lartë i gjakut ka qenë një shqetësim i çastit që mund t’i kursente jetën nëse do të merrte ndihmën e duhur në kohë.

Grupi i ngritur për zbardhjen e ngjarjes ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe pritet akti i ekspertimit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore Tiranë, për të dalë në përfundime. E ndërsa 49-vjeçari u përcoll mesditën e së dielës për në banesën e fundit, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.

Burime nga ky organ thanë se ende nuk ka një denoncim zyrtar nga ana e familjarëve, ndërkohë që pritet përfundimi raportit mjeko-ligjor për të parë nëse do të ketë në vijimësi hetimi ndaj mjekëve që u kujdesën për 49-vjeçarin. “Më datë 01.09.2017, rreth orës 10:00, në spitalin Rajonal Berat, ka vdekur shtetasi T.M, vjeç 49, banues në fshatin Dushnik. Punohet për sqarimin e plotë ligjor të ngjarjes. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat”, bëhet e ditur zyrtarisht nga Policia e Beratit lidhur me ngjarjen. Spitali Rajonal i Beratit është vënë kohët e fundit në qendër të akuzave, ku vetëm një muaj më parë, një burrë nga Lushnja, i cili kishte shkuar në këtë spital për të kryer ndërhyrje pasi atje kishte disa të afërm të tij, humbi jetën pas një ndërhyrjeje të thjeshtë kirurgjikale.

loading...