Vëllai i gjilanasit të vrarë nga polici: Në vend të barnave, i dhanë plumba (Video)

Vëllai i gjilanasit të vrarë nga polici: Në vend të barnave, i dhanë plumba (Video)

Ngjarja e djeshme, ku një person mbeti i vrarë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, ka bërë që familja e tij të kërkojë sqarime nga institucionet më të larta të shtetit.

Vëllai i Besimit, Bekim Ramadani thotë se vëllai i tij, kishte probleme mentale, dhe ka qenë i shtrirë në spital por në të shumtën e rasteve mjekët janë tallur me gjendjen e tij shëndetësore, raporton KTV.

Ndërkaq vrasjen e vëllait nga policët, Bekimi e sheh të paarsyeshëm, pasi siç thotë policët duhet të kishin metoda të tjera për ta ndalur euforinë e tij.

Bekimi thotë se mjekët e repartit të psikiatrisë dhe neurologjisë në Gjilan, ku ka qenë i shtrirë vëllai i tij, është dashur të kontrollonin më shumë lëvizjet e Besimit, dhe jo ti lejohej atij dalja e pa nevojshme dhe pa asnjë kontroll.

Sigurimi i këtij reparti, pranon se dalin për shëtitje pacientët, por nuk ka ndodhur asnjëherë të mos kthehen.

Ismet Hashani zëdhënës i policisë së Kosovës në Gjilan, ka thënë se policia ka përdorur të gjitha format ligjore, deri te momenti i shkrepjes së zjarrit.

Vrasja e Besim Ramadani ka ndodhur pasditen e së shtunës, ku siç tregojnë familjarët prapa kamerës, Besimi kishte marrë dy mjete të ftohta dhe ishte nisur i nervozuar në një drejtim të panjohur.

Ai kishte goditur dy herë me thikë një vajzë 11 vjeçare, në rrugën Kumanova, në lagjen Arbëria e cila së bashku me familjen e saj jeton në banesat sociale të kësaj lagjeje.

Pasi ishte kthyer, policia që ishte lajmëruar nga vëllau i Besimit, kishin dalë afër shtëpisë së familjes Ramadani ku thuhet se ishin sulmuar nga Besimi dhe në vetëmbrojtje kishin shtënë mbi të.

Sipas familjarëve njëri plumb i ka rënë në pjesën rreth hundës dhe njëri në mënyrë sipërfaqësore në këmbë.

E Ndërkaq babai i 11 vjeçares Ediana Asllani, që u sulmua nga Besimi tregon se gjendja e vajzës është stabile.

I vrari Besim Ramadani, ishte 36 vjeçar, dhe sipas familjarëve nuk ka qenë më i gjatë se 1 m e 70 cm, çka sipas tyre, policia po të ishin më të duruar mund ta ndalonin pas asnjë problem.

Ndërkaq polici i sulmuar me thikë nga Besimi, Fidan Kurtalani i lindur në vitin 1991 është në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia njofton se Fidan Kurtalani dhe Arbnor Rashiti që qëlloi Besimin janë policët e gjeneratave më të reja të Policisë së Kosovës.