“Vdekja e bardhë” shokon mjekët shqiptarë, e reja humb jetën në spital pasi kishte të vjella

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lushnje, ku një vajzë 20 vjeçe ka gjetur vdekjen një orë pasi ishte dërguar në spital nga familjarët.
Sara Gjermeni, 20 vjeçe banuese në fshatin Gorre të Lushnjes, gjatë pasdites së djeshme, e hënë, ka shfaqur të vjella dhe aritmi në zemër.

E reja është dërguar nga prindërit në spitalin e qytetit, ku pavarësisht ndihmës së marrë ka gjetur vdekjen një orë më vonë. Nga veprimet e kryera nga mjekët rezulton se e reja nuk është vetëhelmuar dhe as nuk ka pirë ndonjë ilaç.

Bluzat e bardha e kanë klasifikuar si “vdekje e bardhë”, duke ngritur duart dhe duke mos ditur të japin arsye mbi shkaqet e vdekjes, sipas VloraNews.

Ndërkohë përgjigja e saktë mbi shkakun e vdekjes pritet të jepet pas dy muajsh thonë mjekët, pas ekspertizës dhe analizave më të thelluara të cilat do të kryhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë.