Vazhdon kontrabanda e barnave

f1_23-kontrail-balline-te-kronika1364050276

Prishtinë, 23 mars – Fenomeni i kontrabandës së barnave po vazhdon. Para disa ditësh në rajonin e Prizrenit është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e barnave, që kanë hyrë në Kosovë kontrabandë. Sipas drejtuesit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Ilir Dushi, vitet e fundit ky fenomen është luftuar dhe ka shënuar rënie.

“Prej inspektimeve të fundit që janë bërë, shihet se është shumë më e vogël sasia e barnave që kontrabandohen. Janë gjetur në vlera shumë të vogla, ka pasur raste kur janë zënë edhe nën 100 euro, apo 5-6 kuti barna. Pra, mund të them se si fenomen po shënon rënie”, tha Dushi për Rel.

Mirëpo, zyrtarë në Doganat e Kosovës mendojnë ndryshe. Adriatik Stavileci, zëdhënës, thotë se vetëm kapja e fundit e medikamenteve që kanë hyrë kontrabandë në vendin tonë arrin vlerën e rreth 50 000 eurove. Sipas tij, barnat kontrabandë kryesisht hyjnë nga Serbia.

“Dogana e Kosovës e ka mision edhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës. Në momentin që një mall arrin të kontrabandohet, njësitë e tjera të Doganave merren me kontrollimin e mallit që është futur në Kosovë. Kemi pasur një aksion ku është gjetur një rrjet i kontrabandës dhe shpërndarjes së barnave. Më së shumti kontrabandohen barna që kanë prejardhje nga Serbia”, tha Stavileci, për të shtuar se vlera e barnave që hyjnë në Kosovë kontrabandë brenda një viti arrin në rreth 400 mijë euro.

Shoqata e Farmacistëve të Kosovës fenomenin e kontrabandimit të barnave e quan shumë shqetësues. Udhëheqësi i kësaj shoqate i tha Radios Evropa e Lirë se kontrabanda e barnave është krejtësisht e papranueshëm, meqë është shumë i dëmshëm si për shëndetin e popullatës, po ashtu edhe për ekonominë e Kosovës.

Dushi shton se prej kur ai udhëheq AKPM-në, është rritur shumë numri i barnave që janë regjistruar në Kosovë, dhe interesi për të kontrabanduar barna është më i vogël krahasuar me vitet paraprake.

“Rritja e numrit të produkteve të regjistruara ka bërë që kontrabanda të bie dhe po mbulohet hapësira me barna të regjistruara. Ato që kontrabandohen janë kryesisht barna të paregjistruara dhe kompanitë kanë interes të vogël t’i regjistrojnë. Por, me ligjin e ri, do të krijohet lista e barnave dhe do të rregullohet edhe kjo çështje. Çdo ilaç, për të cilin kanë nevojë pacientët, do të jetë në treg”, sqaron Dushi.

Mungesa e zbatimit të ligjit në veri të vendit dhe vetë konfiguracioni i kufirit të Kosovës me Serbinë bëjnë që kontrabanda të mos ndalet në mënyrën e duhur, pohojnë zyrtarë institucionalë.