“Vapa po sjell apokalipsin, ju premtoj që është më keq nga se mendoni”, shkrimi që po trondit botën

Vapa që ka pllakosur vendin tonë ka nxitur shumë njerëz që të thonë se të tillë kohë nuk e kanë përjetuar më parë. Ndoshta gaboheni, por ndoshta keni edhe të drejtë.Një shkrim i publikuar nga revista e njohur amerikane, “New York” ka tronditur opinionin publik në mbarë botën.Shkrimi i David Wallace-Wells ia ka dalë të jetë në qendër të diskutimeve. Tonet e tij apokaliptike e bëjnë të frikshëm. Më poshtë gjeni pjesë nga ky shkrim.

Apokalipsi: Ju premtoj se është më keq nga sa mendoni. Nëse ankthi juaj për ngrohjen globale dominohet nga frika për ngritjen e nivelit të detit, thjesht po kruani sipërfaqen e asaj që mund të jetë terrori i vërtetë. Uji që ngrihet lart dhe qytetet që mbyten – kanë dominuar panoramën e ngrohjes globale, duke mbushur kapacitetin tonë për panik. Ngritja e nivelit të oqeaneve është diçka e keqe, në fakt shumë e keqe. Por arratisja nga brigjet nuk do jetë e mjaftueshme. Në fakt, pjesë të tëra të Tokës do bëhen tmerrësisht të pabanueshme në fund të këtij shekulli.

Edhe nëse jemi të trajnuar për ndryshimet klimatike, sërish nuk e kuptojmë tamam. Dimrin e shkuar, temperaturat e larta kanë pjekur Polin e Veriut, duke shkrirë akullin që mbulonte kasafortën Svalbard – një bankë ushqimore globale e quajtur “Apokalipsi”- ku sigurohet që agrikultura jonë të mbijetojë ndaj çdo katastrofe. Por ajo është përmbytur dy vite pasi është ndërtuar. Por të trajtosh këtë episod thjesht si një përmbytje, humbet lajmin më të rëndësishëm. Deri më tani, akullnajat nuk ishin një shqetësim i madh pasi ishte thjesht tokë e ngrirë. Por Arktiku përmban 1.8 trilion ton karbon, më shumë se dyfishi që ndodhet aktualisht në atmosferën e Tokës. Kur të lëshohet në atmosferë, karboni mund të kthehet në metan, që është 34 herë më i fuqishëm si gaz serë, duke e ngrohur Tokën.

Me fjalë të tjera, ne kemi ‘bllokuar’ në Arktik dy herë më shumë karbon se ç’ndodhet aktualisht në atmosferën e Tokës, pjesërisht në formën e një gazi që nëse lëshohet do të shtojë fuqinë ngrohëse 86 herë.

I nxehti vdekjeprurës: Njerëzit, si të gjithë gjitarët, janë makineri nxehtësie: të mbijetosh do të thotë që duhet të ftohesh vazhdimisht. Për këtë, temperaturat duhet të jenë të ulëta mjaftueshëm që ajri të veprojë si një lloj frigoriferi, duke tërhequr vapën nga lëkura, në mënyrë që motori të vazhdojë të pompojë. Me shtatë shkallë ngrohje, kjo bëhet e pamundur për shkak të hapësirës së madhe ekuatoriale të planetit. Lagështia e shton ndjeshëm problemin: Në xhunglat e Kosta Rikës, për shembull, ku lagështia i kalon 90 për qind, thjesht të lëvizësh në një temperaturë 40 gradë është vdekjeprurëse. Dhe efekti do të ishte i shpejtë: brenda pak orësh, një trup njerëzor do ziente për vdekje nga brenda dhe nga jashtë.Skeptikët thonë se planeti është nxehur dhe ftohur disa herë, por dritarja e klimës që lejon jetën është shumë e ngushtë, edhe për standardet e historisë planetare.

Me dy-tre gradë më shumë, gjysma e popullsisë në botë do të vdiste direkt nga i nxehti. Ne jemi thuajse aty. Që prej vitit 1980, planeti ka përjetuar një rritje prej 50-fish të numrit të vendeve që po përjetojnë të nxehtin ekstrem. Një rritje më e madhe do pasojë. Pesë verat më të nxehta në Evropë që prej vitit 1500 janë regjistruar pas vitit 2002. Shumë shpejt, vera e vitit 2003, që vrau më shumë se 2000 njerëz në ditë në Evropë, do jetë normale.

Fundi i ushqimit: Klima ndryshon dhe bimët ndryshojnë. Por rregulli bazë për kulturat kryesore të drithërave është që duhet një temperaturë optimale për rritjen e tyre. Çdo rritje temperaturë me një gradë, ul prodhimin me 10 për qind. Disa thonë se kjo shkon deri në 17 për qind. Çka do të thotë se nëse planeti do ngrohet me pesë gradë në fund të shekullit, ne do kemi 50 për qind më pak ushqim dhe 50 për qind më shumë njerëz për të ushqyer. Proteinat janë më keq: duhen 16 kalori grurë për të prodhuar vetëm një kalori me mish hamburgeri, i dalë nga lopët që e kalojnë jetën duke ndotur klimën me gazrat metan.

Murtaja e klimës: Për momentin, në akullin e Arktikut gjenden të ngrira sëmundje që nuk kanë qarkulluar në ajër për miliona vite – në disa raste edhe përpara se njerëzit t’i kenë takuar ndonjëherë. Çka do të thotë se sistemi ynë imun nuk ia ka idenë se si do i luftojë këto murtaja prehistorike që do dalin nga akulli. Arktiku përmban baktere të tmerrshme.

Në Alaskë, shkencëtarët kanë zbuluar tashmë mbetje të gripit të vitit 1918, që infektoi rreth 500 milionë njerëz dhe vrau mbi 100 milionë – rreth 5 për qind të popullsisë së botës, gati gjashtë herë më shumë se Lufta e Parë Botërore. Siç raportoi BBC në maj, shkencëtarët dyshojnë se lija dhe murtaja bubonike janë të bllokuara në akullin e Siberisë – si një histori e sëmundjeve njerëzore, e ngecur aty si një sallatë me vezë në diellin e Arktikut.

Ekspertët paralajmërojnë se shumë prej këtyre organizmave nuk do i mbijetojnë shkrirjes dhe tregojnë kushtet e vështira laboratorike ku janë rikrijuar këto baktere 32 mijë vjeçare. Në vitin 2007 u soll në jetë një bakter 8 milionë vjeçar, ndërkohë një shkencëtar rus injektoi në trupin e tij një bakter 3.5 milionë vjeçar për të sugjeruar se ekzistojnë kushtet e nevojshme për kthimin e këtyre plagëve të vjetra. Por që vitin e shkuar, një djalë vdiq dhe 20 të tjerë u infektuan me antraksin e lëshuar nga kufoma e ngrirë e një dreri, të vrarë 75 vite më parë.

Ajri që nuk do e thithim: Mushkëritë tona kanë nevojë për oksigjen, por ky është vetëm një fraksion i vogël i asaj që thithim. Fraksioni i dioksidit të karbonit është duke u rritur: sapo i ka kaluar 400 pjesëza për milion. Mendohet se me këtë ritëm, në vitin 2100 do jetë 1 mijë për milion. Me këtë përqendrim, aftësia konjitive njerëzore do ulet me 21 për qind. Të tjera substanca në ajrin e nxehtë janë akoma më të frikshme. Me një rritje të vogël të ndotjes, jetëgjatësia do shkurtohet me dhjetë vite. Sa më shumë ngrohet planeti, aq më shumë ozon formohet.

Në mesin e shekullit, amerikanët do vuajnë një rritje prej 70 për qind të smogut të ozonit. Në vitin 2090, më shumë se 2 miliardë njerëz në mbarë botën do thithin ajër mbi nivelet e sigurisë së OBSH-së.Një studim tregon se mes efekteve të tjera do jetë rritja e ndjeshme e personave me autizëm (deri më tani numri i tyre është dhjetëfishuar).