Vapa ikën me gushtin? Harrojeni, bëhuni gati për një tjetër valë të nxehti afrikan

Valët e të nxehtit afrikan erdhën në vendin tonë gjatë kësaj vere duke e bërë këtë stinë mjaft të nxehtë. Një lajm edhe për të gjithë ata që i kanë lënë pushimet e tyre në muajin shtator.

“Meteoalb” parashikon që temperaturat të rriten gjatë fundjavës dhe fillimit të javës tjetër duke kulmuar në datat 28 – 30 gusht. Një rënie graduale e temperaturave pritet ditët e para të shtatorit.

Gjatë ditës së premte do të vijojë dominimi i kthjellimeve në pjesën më të madhe të vendit deri në mesditë kur shfaqen vranësira kalimtare në zonat malore. Edhe pjesa e dytë e ditës mbetet me kthjellime në ultësirën perëndimore, por vranësira të lehta do të ketë herë pas here në zonat lindore.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare pas mesditës me shpejtësi 35 – 38 km/h nga drejtimi verior duke gjeneruar në det dallgëzim 2 – 3 ballë. Temperaturat e ajrit do rriten lehtë në vlerat e mëngjesit, por rritje më të ndjeshme në vlerat e mesditës kur pritet që maksimumi në rang vendi të ngjitet në 35 – 36°C.