Vajzat e Sopës, njëra mohon e tjetra hesht

f.0308093622856_m

Të ftuara në Prokurorinë themelore, si të pandehura për vrasjen në bashkëveprim të babait të tyre, ish-zyrtarit për media të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa, dy vajzat e tij nuk kanë pranuar se kanë kryer vrasje.

Se nuk e ka vrarë babanë e saj e ka thënë Erna Sopa, vajza e vogël e Hamdi Sopës, derisa Artina Sopa, vajza tjetër e tij, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e prokurorit, shkruan “/LajmeOnline/”.

Dy vajzat e të ndjerit Sopa janë arrestuar një muaj më parë bashkë me nënën e tyre Teuta Sopa, si të dyshuarat e vetme për vrasjen e Hamdi Sopës. Ato dyshohet se kanë përdorur thikë kundër familjarit të tyre dhe të njëjtin e kanë hedhur nga kati i nëntë i banesës së tyre në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë.

Një muaj pas arrestimit të tyre, tashmë kur tri të pandehurave iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, prokurori themelor Blerim Isufaj ka nisur marrjen në pyetje të të pandehurave.

Burime të gazetës, të afërta me rastin, kanë sqaruar se ato deri këtë javë nuk janë marrë në pyetje nga prokurori i rastit.

Ky i fundit ka nisur marrjen në pyetje të mërkurën kur edhe i kishte ftuar dy bijat e të ndjerit, por jo edhe bashkëshorten e tij.

“Vajza e vogël e tij ka folur, ndërsa ka mohuar në tërësi veprën penale por në deklaratën e saj edhe nuk ka dhënë detaje lidhur me veprimet në ditën kritike, derisa vajza tjetër e tij është mbrojtur në heshtje”, ka sqaruar një burim i afërt i rastit. /LajmeOnline/