Uruguai favorit për organizimin e Botërorit 2030

0Uruguai është vendi më i mundshëm për të fituar organizimin e Botërorit 2030. Lajmi i bujshëm bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Mail” që shpreh shqetësimin për daljen e Anglisë nga gara.

Sipas gazetës, vendi amerikano-jugor kërkon të rregullojë disi imazhin pas gjestit të Luis Suarez duke menduar seriozisht kandidimin për Botërorin e pas 16 viteve dhe në këtë aspekt, FIFA mund ta mbështesë për të mbajtur mbi shpatulla një presion të tillë.

“Daily Mail” shkruan më tej se me caktimin e Rusisë në vitin 2018, Katarit në 2022 dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës si vendi më i mundshëm për të organizuar Kupën e Botës 2026, Anglia mbetet e fundit në listën e preferencave sepse i vetmi vit kur ishulli mund të ketë shpresa për të pritur Botërorin është 2034.

“FIFA kërkon të rikthejë në Uruguai pas plot një shekulli Kupën e Botës sepse për herë të parë, ky eveniment u organizua pikërisht në vendin e vogël amerikano-jugor në vitin 1930, prandaj Anglia nuk ka pothuajse asnjë shans të konkurrojë në këtë vit”, shkruan “Daily Mail” që vë në dukje faktin se Uruguai është një nga vendet më të vogla të Amerikës së Jugut me 3.3 milionë banorë.