Unë, pasanikja, grua e fukarasë!

loading...

loading...

E njoha zemrën time në gjimnaz. U pëlqyem që në ditët e para. Ai ishte një nga ata djemtë e edukuar që tregonte dashurinë me sy, sepse fjalët dhe ngacmimet i konsideronte si ofendim, duke qenë se nuk ishte i sigurt në ndjenjat e mia, shkruan Timja, nga Istogu.
Isha e re. Sapo e kreva vitin e dytë gjimnaz. Një shikim i një djali bëri që ta shihja jetën ndryshe. Në fillim e mendova si diçka të moshës sime rinore dhe asgjë më shumë. Një shikim i një kalimtari rasti… Dhe, nuk iu dhashë edhe aq shumë, pasi nuk doja të gaboja. Por, me kohë fillova ta njihja… Vinim të dy nga familje me zënka e probleme dhe me kalimin e kohës gjetëm mbështetje te njëri-tjetri. Në fillim ishte shok i ngushtë, vëlla, dëgjues, e pastaj me shumë mund u bë i dashuri im. Dilemat e mia filluan te gjendja e tij ekonomike. Unë isha një nga ato zonjushat që familja m’i plotësonte të gjitha, por prapë kisha ngelur e thjeshtë: në veshje e sjellje. Dashuria për të ishte shumë e madhe Nuk më bënte përshtypje se porosisja vetëm kafe ose se shumë herë ja merrja faturën nga duart. E kishte vendosur të lidhte jetën me mua, sapo të mbaroja gjimnazin. Ndërkohë, shoqet më thoshin ta lija, sepse nuk ishte në lartësinë time dhe nuk besonin se do të arrinte diçka në jetë… Ndërkohë, e dija se edhe familja ime kishte kërkesa të larta për mua dhe nuk dihej nëse do e mbaroja universitetin apo jo. Nga ana tjetër, e dija tipin tim, doja të kisha gjithçka që doja. Doja që nesër fëmijëve të mi t’ua plotësoja çdo dëshirë, ashtu siç isha rritur vetë. Nuk më pëlqente që një ditë të fajësoja atë për jetën e keqe, për shqetësimet dhe hallet që të sjellë mungesa e parasë. Më lindën dilema, sidomos, kur më thoshin se e kisha gabim që i besoja se do bëhej dikush. Në ato tre vjet lidhje gjimnazi nuk mora asnjë dhuratë nga ai, ndryshe nga ç’isha mësuar. Por, nuk kishte rëndësi për mua: më mjaftonte ai, ndjenjat dhe dashuria që ndanim. Kur i blija ndonjë dhuratë e pranonte me zor. Më vinte turp nga shoqet që për ditëlindje më pyesnin se çfarë më bleu e u thosha asgjë… Me nxisnin ta lija… Vendosa të luftoj me vetveten…
Nuk e hodha kurrë poshtë. Pas gjimnazit bëra një luftë të vërtetë me familjen për t’u fejuar me të. Të gjithë mendonin se gabova. Se më kishin rritur me të gjitha të mirat dhe tani do vuaja për bukë. Pasi u fejuam vendosëm të jetonim bashkë, ani pse nuk ishim martuar… Mua më ndihmonte me para babai dhe nuk kishim krizë paraje… Por, ai nuk i pranonte paratë e mia…
Prindërit më thoshin të kthehesha në shtëpi dhe ta harroja. S’kisha pse të vuaja… Por, nuk e lash vetëm. Ndonjëherë me barkun bosh dhe e lodhur më mjaftonin vetëm krahët e tij për të harruar çdo vuajtje. Me zor i kemi shtyre vitet në fakultet… Por, me kohë filloi të na ecë fati… Më vonë u martuam e tash është një biznesmen i zoti… Mua nuk më lë të punoj, sepse dëshiron që unë të jetoj, vërtet, si zonjë… Pra, vuajta një kohë, por dolëm në selamet… E, këtë ma mundësoi dashuria që kisha për të… Tani kemi jetë të rehatshme: shpesh shkojmë në Shqipëri, në Durrës, dhe e kalojmë vikendin si e më mirë… Por, prapë jam ajo femra e thjeshtë dhe kjo më bën të ndihem edhe më mirë…/Timja

loading...