Unë, kurva!

loading...

loading...

Deri një javë më parë, përpara se të shpërthente lajmi i ndarjes sonë në të gjithë fisin dhe shoqërinë, unë kisha emër dhe mbiemër. Kisha një familje dhe një diplomë. Kisha një punë që më paguante shumë mirë dhe ja kisha dalë vetë mbanë, duke paguar gjysmën e qerasë dhe të shpenzimeve të shtëpisë që ndaja me ish-partnerin. Por, sapo e morën vesh që unë kisha kërkuar vetë të ndahesha e t’i jepja fund fejesës, papritur i humba të gjitha këto…

Humba prestigjin, suksesin, mençurinë, dhembshurinë, humba ambicien, humba, madje, edhe emrin tim të plotë dhe tani më njohin, thjesht, “Ajo kurva!”. E çuditshme se nuk e kisha menduar asnjëherë që do të më vinte edhe mua dita të përkufizohesha si “kurvë”! E kam urryer këtë fjalë që shpesh i përvishet një femre dhe nuk e kam përdorur kurrë. Megjithatë, gjithmonë kam lënë një hapësirë për ato vajza e gra që qëllimisht kërkonin t’u bënin keq mikeshave të tyre dhe me pak sforcim, por ato mund t’i quaja “kurvë”.

Nga ana tjetër, isha shumë e vetëdijshme se te shqiptarët fjala “kurvë” u vihet pa asnjë përjashtim çdo gruaje që tradhton partnerin, kryen seks për interes, vesh veshje të cilat ekspozojnë pak më shumë trupin sesa norma, apo e kalon numrin 3 të dashnorëve. Në këtë kategori, të mos harrojmë edhe “Atë tjetrën”, pra dashnoren që shkon me një burrë të martuar. Por, në historinë time unë nuk isha “kurva” sipas asnjë lloj standardi të mësipërm. Unë nuk kisha dëmtuar ndonjë mikeshë qëllimisht. Nuk kisha tradhtuar as me veshje.

Nuk ia kam dhënë trupin askujt për interes, madje-madje edhe me numrin e partnerëve seksualë isha brenda rregullave, sepse ish-partneri im ishte i dyti që unë kam pasur në jetën time 28-vjeçare. Atëherë, duke bërë një përllogaritje tjetër, dola që unë qenkam një lloj tjetër kurve! Unë jam kurvë, sepse kam marrë një vendim për të mirën e lirisë dhe ambicieve të mia personale!

Sipas mikeshave të mia të ngushta, që më furnizonin edhe me thashethemet që bëheshin vërdallë, askush nuk po e kapërdinte faktin se unë kisha braktisur një njeri që më ka dashur shumë, duke i shkaktuar atij vuajtje të tmerrshme! Është e vërtetë! Ai më donte pa masë. Gjatë gjithë viteve që ishim bashkë ma shprehte çdo ditë se sa shumë më dashuronte dhe se si donte të kishte një familje me mua! Shtoj edhe faktin se ai nuk më tradhtonte asnjëherë. Por, a mjafton dashuria? Kërkonte të krijonte familje me mua, kurse unë ende nuk ndihesha e gatshme;

Kur mua m’u propozuan një vend pune ëndrrash, njeriu i parë që mora në telefon ishte ai; Kur nisa të udhëtoja jashtë me ata të punës, ai gjithmonë më priste turivarur dhe nëse do të përmendja qoftë edhe një emër mashkulli që ishte pjesë e udhëtimit, do të plaste sherri;

Sa më shumë unë kërkoja nga vetja, aq më shumë ai përpiqej t’më tërhiqte drejt një stili jetese që për momentin nuk mund ta bëja dot, duke më kujtuar se unë kam ardhur në këtë botë për të gatuar dhe lindur fëmijë. Kjo e fundit u bë aq e lodhshme, sa jam e sigurt që stresi ndikoi në dështimin e përpjekjeve tona disa-mujore dy vjet më parë për të bërë fëmijë, edhe pse nuk jam nga ato që nuk dua fëmijë apo urrej martesën. Por, ai nuk më dëgjonte. Për të mjaftonte që unë të isha me të, të mos e tradhtoja dhe sa më shpejt të bëja një fëmijë!

Aq shumë e mendonte këtë sa edhe seksin e bëri qëllim në vetvete, për të më lënë shtatzënë. E niste si i joshur nga trupi im dhe i gjithë akti ishte një përpjekje e sforcuar për t’më lënë shtatzënë. Andaj, shoku im, partneri im, njeriu me të cilin unë kisha ëndërruar se do të kaloja gjithë jetën, gjithmonë e më shumë ushtronte trysni kundër meje. Aq shumë më duhej të luftoja me rrymën e tij, saqë nisi të bëhej e lodhshme. Po lodhesha dhe vetë. Po e shihja se si po degradoja në një nevrike, se si po humbja durimin dhe se si gradualisht, po mësoja të gënjeja, edhe për gjënë më të vogël, thjesht për të evituar të gjitha ato “fantazi” të kokës së tij, të pakuptimta.

Dhe, prej vitesh, çdo gjë që kishte lidhje me mua dhe me ato çfarë unë doja, bastardoheshin, duke u njehsuar me nënkuptime për qejfe seksuale. E kush, unë?! Mua, fatkeqësisht, as që më shkonte mendja për seks, kur ajo çfarë doja ishte të kapja mundësinë për veten time dhe për të mirën e familjes sime. Por, ai as u rritë me mua, as nuk u bë kurrë shoku im. Donte të ishte vetëm babai i fëmijëve të mi! Dhe, midis një seksi 5-minutash dhe momentit kur do të sillja në jetë një fëmijë, ai nuk llogariti asnjëherë.

Thjesht, më la… E, për botën, isha unë ajo që e lash…T.“

loading...