UEFA gjobit Ajaksin për parullën kundër sheikëve

loading...

ajaks

loading...
UEFA vazhdon të tregojë gjithnjë e më shumë se kur bëhet fjalë për dënime, interesi ekonomik vjen në plan të parë për institucionin që drejton futbollin në Evropë. Kjo është arsyeja pse skuadra e Ajaksit është gjobitur me 10 mijë euro, për një parullë të tifozëve të saj që në fakt nuk ka patur asnjë fyerje në të, thjesht ka qenë një revoltë civile ndaj klubeve që shpenzojnë shumë para.

UEFA ka dënuar atë që e ka etiketuar “një parullë provokuese dhe e papërshtatshme”, ndërsa dënimi në fjalë është dhënë për ndeshjen e luajtur nga Ajaksi në fushën e Mançester Sitit. Tifozët hapën parullën ku shkruhet “Kundër Futbollit Modern”, ndërsa shpalosën edhe një vizatim gjigand në të cilin shfaqej një sheik që mbante një qese me para, ndërsa kjo pamje rrethohej me rrethin e kuq.

Parulla në fakt nuk përmban asnjë lloj fyerje apo sharje, por duket se është temë mjaft delikate për UEFA-n e cila ka filluar të sigurojë investime të rëndësishme pikërisht nga sheikët që po hedhin paratë e tyre në futbollin evropian me klube si Mançester Siti apo PSZH.

Grupimi i tifozëve që shfaqi këtë parullë, i njohur me emrin “VAK410”, shpalosi edhe një parullë tjetër ku shkruhej “80 euro për një biletë në zonë e miqve është qesharake”, por rritja e çmimit të biletave në mënyrë absurde nuk është se shqetëson shumë UEFA-n, e cila ka dhënë sinjale të qarta se për momentin i intereson më shumë të mbrojë investuesit e mëdhenj sesa tifozët e thjeshtë.

loading...