Udhëtim në rrugën e grabitësve (Video)

Që prej ditës së diele, qyteti i Pukës jeton me frikën dhe kujtesën e ngjarjes ku tre persona të armatosur, në përpjekje për grabitje, hapën zjarr në drejtim të një makine, duke plagosur pesë persona, mes tyre dy fëmijë.
f.0716211801285_m


Frika ndihet tek të gjithë banorët e qytetit verior, të cilët shprehen se shteti duhet të gjejë sa më shpejtë autorët që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Rrugët e qytetit boshatisen sapo mbi qytet bie nata. Madje, edhe efektivët e policisë duken më rrallë. Situata bëhet akoma më e frikshme teksa i afrohesh vendit të ngjarjes, ku përveç pishave nuk të ndesh syri asnjë patrullë policie nga Puka e deri në Vaun e Dejës, transmeton TCH.

Pas ngjarjes së rëndë, edhe automjetet e pakta që qarkullojnë në orët e vona, nga frika nuk pranojnë të ndalojnë qoftë edhe për të treguar me saktësi se ku ndodhet vendi i ngjarjes. Ka dhe nga ata, të cilët nuk hezitojnë të ndalojnë e jashtë kamerave të tregojnë se që prej ditës së dielë, udhëtojnë të armatosur gjatë atij aksi rrugor, nga frika e rishfaqjes se grabitësve.

Por ka dhe nga ata banorë të zonës, që pavarësisht ngjarjes, vijojnë të udhëtojnë në këtë segment në orët e vona, pavarësisht frikës që shprehin, pasi sipas tyre kjo është e vetmja rrugë kalimi për ta.

Sipas banorëve të zonës, gjatë viteve 1997-1998 në këtë aks rrugor janë shënuar një sërë grabitjesh, por asnjëherë në Dushakuq, pasi vendi në fjalë është i papërshtatshëm për t’u larguar e për t’u fshehur.

Dushakuqi, vendi ku u plagosën pesë pjesëtarë të familjeve Xhaferraj dhe Kopani, ndodhet 15 kilometra nga Puka dhe po aq nga Vau i Dejës. Ndërsa, nëse udhëton përmes maleve, mbërrin dhe në fshatrat e Lezhës. E ky fakt sipas policisë, e shtrinë rrezen e kërkimit të autorëve në tre qytete.