U kap me kokainë në Britani, shqiptari rrëfen përse merrej me drogë

Një shqiptar, i cili u kap me drogë në rrugët e Brighton dhe Hove do të deportohet nga shteti britanik.

Fatjon Gjini, 28 vjeç, kishte hyrë në Britani ilegalisht, duke përdorur një mjet identifikues të falsifikuar.

“Gjini u dënua me 16 muaj burg të mërkurën dhe do të dëbohet nga vendi”, raportojnë mediat lokale.

Shqiptari Gjini u kap nga policia me 25 qese kokainë, në makinën e tij Volkswagen Golf në York Avenue, Hove, më 15 Shtator.

Kur u pyet nga policët, Gjini tha se ai kishte filluar të shiste drogë sepse dikush i kishte premtuar 3000 paund në javë, por sapo e kishte kuptuar që nuk do t’i merrte paratë ishte përballur me personin në fjalë.

Ky i fundit i kishte thënë se tashmë Gjini i detyrohej atij 3000 paund. Më pas, sipas Gjinit, ai ishte i detyruar të merrej me këtë punë sepse frikësohej për jetën.

Përveç akuzës për shpërndarje droge, i riu shqiptar u dënua edhe me 6 muaj të tjera burg, për shkak se u vërtetua se ai kishte përdorur leje drejtimi të falsifikuar duke bërë kështu 22 muaj burgim në total.