U fejova me njeriun që nuk e doja!

loading...

loading...

Jam nga Vlora. Para do vjetësh njoha një djalë nga Prishtina, në të cilin edhe u dashurova me gjithë shpirt, duke qenë se ishte edhe lidhja ime e parë. U dashurova me të me shikim të parë. Unë historikisht nuk është se kam pasur ndonjë mendim pozitiv për kosovarët, por njohja me të më bëri që të largoj çdo mendim të keq nga vetja. Jam takuar me të në plazh dhe, pastaj, çdo gjë shkoi mirë, shkruan Rovena, nga Vlora.

Natyrisht, para se të lidheshim ai ishte personi që këmbëngulte që ne të lidheshim bashkë me patjetër. Siç e theksova në fillim, për mua ishte një dashuri me shikim të parë, por nuk e di pse më kishte kapur një “inat” me të dhe doja që të shihja se deri ku shkon durimi i tij në lidhje me mua.

Çdo gjë shkoi në rregull, pasi ai për asnjë moment nuk ndali së më kërkuari, kështu që pas pesë muajsh vendosa të lidhem me të. Të dy ishim relativisht në një moshë të pjekur, ndaj nuk është se mendonim që të kishim një lidhje aventureske me njëri-tjetrin. Qëllimet tona ishin shumë serioze. Nëna e tij nuk donte nuse nga Shqipëria!

I kaluam dy vera bashkë në plazhet e bukura të Vlorës, që nga Uji i Ftohtë e deri në fund të Detit Adriatik. Por, problemi që na shoqëroi gjatë atyre dy verave të lidhjes sonë ishte se nëna e tij nuk dëshironte që djali i saj të merrte një nuse nga Shqipëria, sepse, sipas saj, ne kishim një mentalitet tjetër. Ai nuk e kishte të atin dhe e ëma pothuajse ishte kujdesur për të gjatë gjithë jetës.

Madje, sa herë që rrinte me mua thoshte se mendja i rri te nëna, sepse e ka lënë vetëm. Unë jam vënë shumë vonë në dijeni të këtij problemi dhe në një mënyrë fare rastësore, pasi ai nuk dëshironte t’ma tregonte, sepse mendonte që me kalimin e kohës do të rregullohej çdo gjë mes nesh. Kur mora vesh se si qëndronte puna, u mërzita shumë me të, sepse ai ishte në një moshë madhore, saqë mund të vendoste vetë për jetën e tij. Luftova që të mos ndaheshim

Kohë më përpara unë isha takuar edhe me motrën e tij, për të cilën nuk është se ushqeva në ndjenjë të mirë, pasi më dukej shumë tinëzare. Gjatë kohës që unë isha me të, ajo e merrte nënën e vet çdo ditë në telefon, duke i folur fjalë nga më të ndryshimet, sepse natyrisht edhe ajo e mbante anën e nënës së saj, kështu që kundra lidhjes sonë u bën dy personat më të dashur të tij.

Me të vërtetë, ishte një situatë shumë e sikletshme, sepse edhe ai nuk dinte se kë të zgjidhte mes nesh, por di t’u them që ai asnjëherë nuk ia prishte nënës së tij, ndaj i vetmi person i humbur në atë mes isha unë.

Nuk doja ta pranoja kurrsesi që nuk do të isha më me të, por nuk kisha çfarë të bëja. Luftova me çdo kusht që lidhja jonë të merrte jetë, sepse nuk e shihja veten për asnjë moment larg tij. Ai, edhe pse e dinte që familja e tij ishte kundër lidhjes sonë, kujdesej për mua ashtu si më parë. Ishte njeri shumë i dashur dhe më njihte mirë si tip.

Me të kam kaluar çaste të mrekullueshme dhe do e kem shumë të vështirë që ta kujtoj këtë lidhje si pjesë të së shkuarës sime. U shkëputëm me njëri-tjetrin në një mënyrë shumë absurde. Faji i ndarjes sonë mbeti i të dyve, pasi as njëri dhe as tjetri nuk mori guximin t’i thoshim “lamtumirë” lidhjes sonë. Më telefononte shumë shpesh, por unë nuk dëshiroja që t’i përgjigjesha më në telefon, pasi e dija që do t’i hapja më shumë “plagë” vetes sime.

Kohë më parë familja ime më kishte folur për një djalë që jetonte në Greqi. Ai studionte atje dhe kishte një familje shumë të mirë. Të jem e sinqertë, unë kurrë nuk e kisha menduar që burrin tim të ardhshëm ta merrja me mesit, por situata ishte aq keq, saqë mendoja se nuk do të vendosja më kurrë për të filluar një lidhje nga e para. E ndjeja veten shumë të lodhur nga lidhja që kisha lënë pas… Më dukej sikur ai do të kthejë në çdo moment te unë për t’më thënë:

“Erdha, sepse kam vendosur të kaloj një jetë me ty”. Nuk e di pse, por gjithmonë i kisha ushqyer vetes një shpresë të tillë, ndaj e kisha shumë të vështirë që të filloja gjithçka nga e para. Kisha filluar të bëja një jetë shumë pasive, sepse ai për mua ishte edhe ajri që unë thithja. Kisha një ndjenjë shumë të madhe për të dhe nuk kishte gjë në botë që t’ma largonte. Familja ime e gëzuar, unë e pikëlluar!

Por, siç ju thashë, familja ime vazhdimisht këmbëngulte që unë ta njihja atë djalë. Dhe, për të mos ua prishur qejfin, vendosa ta takoja. U takuam dhe e pëlqyem shumë njëri-tjetrin, por kjo nuk do të thoshte që unë e doja atë. Megjithatë, vendosa të fejohesha me të. Gëzimi i familjarëve të mi ishte shumë i madh, por fatkeqësisht zemra ime ishte e pikëlluar. U fejova, por jo me njeriun e zemrës sime. Madje, shpesh matesha përpara se ta thërrisja në emër, sepse kisha shumë frikë se i thosha ndonjë gjë tjetër.

Megjithëse me të “fejuarin” tim kalova shumë ditë të bukura, asgjë nuk ma mbushte mendjen që ai ishte personi i duhur për mua, por shpresoj që Zoti t’më ndihmojë që të përshtatem sadopak me të, sepse nuk po arrij të mbledhë mendjen, ashtu siç i ka lezet çdo vajze që fillon një jetë të re. /Rovena

loading...