Turqia: Kosova nuk preket (VIDEO)

loading...

images (2)_7

loading...

Kushti primar i ruajtjes së stabilitetit dhe paqes afatgjatë në rajon është ruajtja e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës.

Një mesazh të tillë e ka dhënë në Prishtinë kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, pas një takimi me homologun e tij nga Kosova, Jakup Krasniqi.

“Për ne Kosova është një vend tejet i rëndësishëm, arritja e paqes dhe stabilitetit të përgjithshëm dhe të qëndrueshëm në rajon duhet të vlerësohet duke pasur parasysh çështjen e Kosovës. Për këtë arsye kushti primar i ruajtjes së stabilitetit dhe paqes është ruajtja e tërësisë territoriale sovranitetit dhe pavarësisë së saj”, ka deklaruar Çiçek.

Ndërkaq, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka thënë para mediave se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë shumë të mira, ndërsa ka kërkuar nga Turqia që edhe në të ardhmen të mbështesë Kosovën në çështjen e njohjeve.

“Republika turke gjatë këtyre viteve ka qenë një mbështetëse e fuqishme në botën islame dhe arabe për të njohur Kosovën. Dhe në këtë drejtim ka pasur edhe rezultate konkrete, besoj që kjo mbështetje do të vijë edhe në të ardhmen”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, kryeparlamentari turk i ka dhënë mbështetje dialogut Kosovë – Serbi, ndërsa i pyetur se përse disa vende arabe hezitojnë të njohin Kosovën, ai është përgjigjur se ato kanë problemet e tyre të brendshme që reflektohen edhe në politikën e jashtme.

“Çështja e njohjes së Kosovës është një çështje për të cilën Turqia gjithmonë ka dhënë kontributin e saj maksimal dhe do të vazhdojë ta japë edhe në të ardhmen. Sa i përket njohjes nga vendet arabe, sikurse e dini, momentalisht shtetet e tyre kanë problemet e tyre të brendshme, të cilat domosdo ndikojnë edhe në çështjet e tyre politikës së jashtme. Në anën tjetër, vet fakti që Kosova përgjatë 5 viteve që nga shpallja e pavarësisë së saj është njohur nga 100 shtete është një sukses i pashmangshëm i cili nuk arrihet edhe aq lehtë”, ka thënë Çiçek.

Në këtë konferencë, kryeparlamentari i Kosovës, Krasniqi është pyetur edhe për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka kërkuar që marrëveshjet që arrihen në Bruksel të jenë të plota dhe të hapin rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE.

Pas kësaj, kryeparlamentari turk ka zhvilluar takime të ndara me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, zëvëndëskryeministrin Behgjet Pacolli, ndërsa Kuvendi ka organizuar një seancë solemne me rastin e vizitës së tij në Kosovë.

loading...