Trinjakët e djegur në Durrës ishin autikë, sakrificat e nënës që humbi “betejën”

Pas ngjarjes së rëndë ku tre fëmijë të mitur gjetën vdekjen pasi u dogjën në banesën ku ishin mbyllur vetëm nga nëna e tyre, dalin disa detaje të reja. Mësohet se trinjakët 3 vjeçarë trajtoheshin çdo të hënë në qendrën e mirërritjes dhe zhvillimit në Kombinat të Tiranës, pasi kishin vështirësi në komunikim dhe dëgjim, dhe për këtë arsye i nënshtroheshin një terapie të veçantë.

Jashtë kamerave dhe në ruajtje të sekretit mbi specifikat e trajnimit për vogëlushët, mjekja ka folur për klanplus, duke na njohur me problematikën e tyre, por mbi të gjitha me vështirësitë dhe sakrificat e nënës për të kapërcyer këtë problem shëndetësor të fëmijëve të saj të mitur.

Ndërkohë psikologët që prisnin edhe këtë të hënë të fundit të takonin vogëlushët, e cilësojnë një nënë të përgjegjshme dhe gjithmonë në gatishmëri për t’iu përgjigjur nevojave që kishin fëmijët e saj. Historia familjare mbart në qendër emigracionin në Itali të bashkëshortit, duke bërë Migenën një dhe baba për vogëlushët.

Përtej vështirësive ekonomike, mjekët tregojnë për sakrificat që bënte kjo e fundit çdo javë duke udhëtuar nga Durrësi në Tiranë për të ndihmuar përmirësimin e gjendjes shëndetësore të trinjakëve. Por fati i keq deshi që ajo ta humbë mënyrën më të rëndë dhe më tragjike të mundshme betejën me jetën e tre fëmijëve të saj. Pas ngjarjes, mësohet se e ëma e trinjakëve ndodhet e shtruar në spital për shkak të gjendjes së vështirë psikike për të përballuar humbjen tragjike të fëmijëve.

Tre vëllezër trinjakë, Valerio, Alesio dhe Arturi vetëm 3 vjeç, humbën jetën tragjikisht si pasojë e zjarrit që përfshiu banesën e tyre. Daja e tyre, duke folur për mediat ditën e djeshme, tha se motra e tij i kishte lënë djemtë vetëm për pak minuta dhe vetëm pak metra ishte larguar nga banesa, kur ajo u përfshi nga zjarri.

Gruaja kishte shkuar për të çuar vajzat tek vjehrra për të mësuar të qeta, ndërsa thotë se mendohet se fëmijët kanë qenë duke lozur me shkrepëse duke i vënë flakën perdes dhe nga atje flakët janë përhapur në divan, duke përpirë dhe trupat e tyre.

“Krevati ishte bërë shkrumb. Zjarrfikësja ndërhyri shpejt, por nuk mundi të bënte gjë. Dëmet nuk janë asgjë përpara asaj që humbëm. I ati punon, kurse e ëma kujdesej për fëmijët”, është shprehur Hamdi Çela.

Mësohet se banesa ku ndodhi tragjedia është mbyllur, ndërsa ceremonia e rastit po bëhet në banesën e gjyshërve nga babai. Shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, ndërsa trupat e vogëlushëve u gjetën të shkrumbuar. /b.l/noa.al/