Tribunali me mandat së paku 5-vjeçar

Jo më pak se pesë vjet pritet të ketë jetëgjatësinë Tribunali që do të gjykojë krimet që pretendohet të jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Kohëzgjatjes së funksionimit të tij i druhen autoritete vendëse, të cilat këtë javë kanë ndërruar diskursin për Tribunalin – nga deklarimi kategorik kundër themelimit të tij, në një pranueshmëri në heshtje.

Një burim në Qeveri i ka thënë gazetës të premten se imazhi i shtetit do të lëngojë në masë të madhe nga ekzistenca kaq e gjatë e këtij mekanizmi të drejtësisë ndërkombëtare.

“Për së paku pesë vjet radhazi, në raportimet e medieve botërore për Kosovën do të dominojnë temat që kanë të bëjnë me proceset gjyqësore në Tribunal. Supozimi për krimin unik, siç është ky i tregtisë me organet njerëzore, është barrë që do të lërë gjurmë në imazh”, ka thënë ky burim qeveritar. /Koha Ditore/