Tri opsionet e Putinit për Ukrainën

timthumbÇfarë sugjeron për Senatin Amerikan një këshilltar i njohur i politikave të jashtme mbi opsionet që i mbesin në dorë Moskës në lidhje me çështjen ukrainase. Përse aksionet e Putinit janë një kërcënim, jo vetëm për Perëndimin, por edhe për vetë Rusinë

Nga Zbigniew Brzezinski*

Më shumë se tre muaj kanë kaluar tashmë qysh nga fjalimi me nota triumfaliste i Vladimir Putinit në Parlamentin rus. Në të, ai ngazëlloi publikun me pushtimin e tij ushtarak të Krimesë, duke u vetëkënaqur në një orgji ndjenjash shoviniste. Putini, dukshëm i dha rrugë entuziazmit dhe po ashtu dukej se ia zuri rrugën, apo ia la shumë të ngushtë, pasojave të strategjive afatgjata të këtij akti. Tre muaj më vonë, mes vazhdimit të pasigurt për sa i përket të ardhmes së marrëdhënieve ruso-ukrainase, si dhe rritjes së vijës bregdetare të Rusisë, Putini po përballet me tri alternativa bazë:

1. Ai mund të ndjekë një politikë akomodimi me Ukrainën, duke u dhënë fund sulmeve ndaj sovranitetit të saj dhe mbajtjes së mirëqenies ekonomike. Kjo do të kërkonte mençuri dhe vazhdimësi e këmbëngulje nga Rusia, por edhe nga Ukraina dhe Perëndimi. Një akomodim i tillë, duhet të përfshijë dhënien fund të përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Ukrainën nga brenda, duke përfunduar çdo kërcënim për ndonjë invazion më të madh dhe një lloj mirëkuptimi Lindje-Perëndim, që nënkupton pranim të heshtur të Rusisë, ndaj udhëtimit ndoshta të zgjatur të Ukrainës drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në të njëjtën kohë, duhet të bëhet e qartë se Ukraina nuk po kërkon dhe Perëndimi nuk po nxitohet e ankohet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Është e arsyeshme për Rusinë që të mos ndihet e komfortuar rreth kësaj perspektive.

Veç kësaj, me shumë gjasa duhet bërë e qartë se Rusia nuk pret më gjatë që Ukraina të bëhet pjesë e Unionit Euroaziatik, i cili është një koperturë transparente për rikrijimin e diçkaje që lidhet pak a shumë me ish-Bashkimin Sovjetik apo një ish-perandorie cariste. Kjo mund të parathotë, gjithsesi, një marrëveshje tregtie ruso-ukrainase, qëkurse të dyja vendet mund të përfitonin nga tregu kooperativ në rritje, si dhe nga marrëdhëniet financiare. Komuniteti ndërkombëtar mund ta ritheksonte mbështetjen e vet për një arritje të tillë dhe të riniste një marrëdhënie më normale me vetë Rusinë, përfshirë këtu edhe heqjen e sanksioneve.

2. Putini mund të vazhdonte të sponsorizonte një ndërhyrje ushtarake të maskuar mirë, e projektuar t’ia bëjë jetën të vështirë shumë njerëzve në pjesë të caktuara të Ukrainës. Nëse Rusia do vijonte të shkonte në këtë kurs, me ç‘duket Perëndimi do të duhej të ndërmerrte një aplikim të masave ndëshkimore afatgjata me sanksione të dizenjuara t’i shkaktonin Rusisë pasoja të dhimbshme, që do vinin si përgjigje ndaj dhunimit të sovranitetit ukrainas prej saj. Ky përfundim fatkeq, ndoshta do të sillte dy raste pështjellimi në Europën Lindore: Ukrainën, për shkak të aksioneve destruktive ruse dhe vetë Rusinë.

3. Putini mund ta pushtonte Ukrainën, duke shfaqur potencialin edhe më të madh ushtarak të Rusisë. Një aksion i tillë, sidoqoftë, jo vetëm që do të shkaktonte reaksione të menjëhershme nga Perëndimi, por do të provokonte gjithashtu edhe rezistencën masive popullore ukrainase. Nëse një rezistencë e tillë do të ishte e vazhdueshme dhe e vrullshme, do të kishte më pas presion të shtuar mbi anëtarët e NATO-s për të mbështetur në një seri formash, Ukrainën, duke e bërë konfliktin në fjalë më të kushtueshëm për agresorin.

Për Kremlinin, pasojat e këtij opsioni të tretë, nuk do të ishte vetëm një popullsi prej më shumë se 40 milionësh, vazhdimisht armiqësore ndaj Moskës, por edhe një Rusi e izoluar ekonomikisht e politikisht në përballje me mundësinë në rritje për trazira të brendshme. Zgjidhja në dukje korrekte është të gjendet një formulë për zgjidhjen e akomodimin e të gjitha nevojave, e cila duhet të përfshinte braktisjen e përdorimit të forcës kundër Ukrainës nga ana e Rusisë. Çështja e Krimesë do të mbesë e pazgjidhur për momentin, por do të shërbejë si një kujtesë e vazhdueshme se shovinizmi fanatik nuk është pika më e mirë për zgjidhjen e çështjeve komplekse. Kjo është edhe arsyeja pse aksionet e Putinit janë një kërcënim, jo vetëm për Perëndimin, por tekefundit, gjithashtu edhe për vetë Rusinë.

Marrë nga “Washington Post”