Top 40 TV programet

Edhe këtë vit, tashmë për herë të katërt portali Telekomanda bën renditjen e programeve më të mira në televizionet kosovare. Vitin e kaluar ishte Top 50 pas një Top 10 dhe Top 20. Këtë vit Telekomanda ka  vendosur të reduktoj numrin në Top 40  si shenjë revolte për degradimin në cilësi të programeve televizive që shfaqen në kanalet kosovare.

Renditja është mendim personal i autorit Luan Morina, nuk paraqet qëndrimet e redaksisë së Telekomandës apo çfarëdo mediumi tjetër ku mund të publikohet eventualisht. Është thjesht mendimi  i autorit, i konstruktuar mbi shumë orë të kaluara duke shikuar televizion gjatë këtyre viteve, sidomos këtë sezon që  tashmë ka përfunduar.

40 Lugina e Ujqërve (Vizion Plus)

Padyshim seriali turk më i mirë i transmetuar në Vizion Plus deri më tani. Është një kult në televizionet turke dhe mund të vazhdoj për vite të tëra. Personalisht nuk është ndër serialet e mija të preferuara, por përshtatet me etjen e shikuesve shqiptarë.

39 Drejtpërdrejt (TVSH)

I vetmi program që ja vlen të shikohet në televizionin publik shqiptar. Sinqerisht, programet tjera nuk ja vlejnë të shikohen, pos ndoshta kuizit të ri të Enkel Demit, i cili ka filluar pak më vonë se koha kur vlerësoj se meritojnë një vend në sezonin televiziv. Drejtpërdrejt mbetet simboli dhe ku të ishte ai fat që të ketë edhe më shumë programe të të njëjtës cilësi në TVSH.

38 Top Fest (Top Channel)

Ka filluar të plaket edhe ky format. Nuk është në majat siç ishte më parë. Nuk mund ti fajësojmë, edhe brende si American Idol nuk po mund të mbijetojnë në dekadën e dytë. Po, Top Fest-in, sidomos ato edicionet fillestare do të mund ti krahasoja me American Idol. Ka qenë një finale jo shumë eksituese sipas disa analistëve tjerë, dhe me shtimin e konkurrencës si The Voice e X Factor Albania, nuk besoj që kemi hapësirë për tri programe talentesh muzikore.

37 Champions League (Klan TV)

Edhe tri vite gara më e madhe ekipore në botë vjen falas për shqiptarët në TV Klan. Nuk ka pasur alternativë më të mirë se kjo, dhe është fat që nuk është me pagesë edhe të mërkurave siç ndodh për shembull në Francë. Është politikë e UEFA-s që vetëm një mbrëmje të shfaqet futboll në kanalet pa pagesë, prandaj nuk është fajtor Klani pse nuk ka Champions të martave. Sidoqoftë, tani zgjedhja e parë e mbrëmjes që ofrojnë është një ngritje në krahasim me sezonet e kaluara.

36 Takimi i pasdites (Klan TV)

Epo nuk më ka pëlqyer në sezonet e kaluara. Nuk ka ndryshuar diçka për të mirë as këtë sezon për mua. E di që nuk jam targeti demografik, por nëse do ta krahasoja me programet tjera simotra do ta vendosja pas tyre, por edhe Pasdite ka mbetur ngjashëm tani. Nuk ka diçka të veçantë, por e di që shumë veta nga demografia e këtij emisioni pëlqejnë Takimi i pasdites.

skaner-kampionat35 Skaner Kampionat (Albanian Screen TV)

Më pëlqen që vazhdon traditën edhe pas tërë këtyre viteve. Nuk ka humbur shumë nga origjinaliteti, dhe kjo mendoj që e bën të mbijetoj. Shpesh bëhen debate të frytshme dhe interesante. Besoj që ka ruajtur audiencën e vet përkundër shfaqjes së formateve të ngjashme të reja.

34 Pasdite në Top Channel (Top Channel)

Ku është Lira Burgija?! Seriozisht çfarë menduan krerët e Top Channel duke sjell Ulpiana Ramën në vend të Lirës?! Nuk ka sjell asgjë më të mirë dhe më cilësore për mendimin tim. Nuk ka dëmtuar imazhin dhe formatin e emisionit, por, Lira Burgija ka bërë punë të shkëlqyeshme. Meritonte të mbetej në pozitën e autores së këtij emisioni.

33 Sulltani – Shekulli i madhërishëm (Albanian Screen TV)

Sulltani është kthyer në kohë rekorde tek audienca shqiptare. Kjo na është thënë nga AS TV, por edhe në një mënyrë pasqyrën urinë e shikuesve për seriale të tilla. Nuk e mohon askush që është seriali më i madh turk për momentin, dhe sezoni i katërt i jep edhe më shumë siguri në të ardhmen AS TV. Meriton të jetë në mesin e dyzet programeve më të mira në kanalet tona.

32 The Good Wife (Klan TV)

Nuk është drama që kam pritur, por është dramë lart e vlerësuar në Klan TV. Ka pasur alternativa tjera, mendoj, por megjithatë edhe ‘The Good Wife’ nuk është për tu hedhur poshtë. Besoj që mund të gjej audiencën e saj, e gjithashtu rinovimi për sezonin e ardhshëm i jep Klanit një siguri më të madhe në spektrin e dramave amerikane në primetime. Sidoqoftë, prurjet e reja nuk do të ishin kurrë të padëshiruara.

31 Select (Top Channel)

Edhe një program stemë i Top Channel. Ardhja e programeve debatuese, talk-show, në programacionin e pasdites, si dhe prania e telenovelave nuk ka arritur të çmontoj këtë program. Më pëlqen si një alternativë më ndryshe, më e lehtë, më e këndshme pas një paraditeje të lodhshme. Shpresoj të vazhdoj edhe për sezone tjera.

30 Wake Up (Top Channel)

Destinacioni më i mirë për mëngjes, padyshim është çifti i Wake Up. Ofrojnë alternativën më të këndshme për të nisur ditën, falë energjisë së tyre të parezervuar ndonjëherë, lajmeve të freskëta, rubrikave, dhe muzikës të zgjedhur. Programet konkurrente ose janë jostabile ose të dala mode.

game-of-thrones-season-429 Game of Thrones (3Plus/Digi Plus)

Vetëm në maj ky serial ka krijuar një hallakamë që i shtyn të gjithë të interesohen më shumë për të. Versioni në 3Plus dhe Digi Plus, më duket se nuk ka qenë i censuruar ashtu si në Top Channel. Megjithatë mungesa e HBO-së në Shqipëri, shkakton vonesa të shumta në prurjen e këtij seriali, diçkaje që i kontribuojnë edhe kanalet që blejnë këtë serial.

Megjithatë, qoftë edhe me vonesë dikush po kujdeset të sjell dramën më të mirë në televizion për momentin (shih edhe rejtingun e IMDB-së, dhe komentet e fansave) në Shqipëri.

28 Once Upon a Time (Albanian Screen TV)

Më pëlqen menyja e serialeve të huaja që transmetohen në Albanian Screen. Once Upon a Time është një nga dramat më të mira që mund të shfaqen në televizionet tona. Është një ‘gërshetim përrallash’ që nuk e ka të vështirë për të gjetur audiencën. Megjithatë nuk do të thosha të njëjtën gjë edhe për komeditë. Shumica e tyre janë komedi një-kamere dhe nuk përshtaten shumë me audiencën tonë, mendoj.

27 1001 net (Albanian Screen TV)

Halit Ergenc vazhdon të mbetet në ekranet e AS TV. Diçka më e butë se Sulltani, një dramë e butë turke, diçka që nuk është vërejtur deri më tani në kanalet shqiptare. Më ka pëlqyer për kohën sa është shfaqur në KTV. Ka një kast të mrekullueshëm, aktorë me përvojë, dhe një temë jo aq të rëndë. Ide e mirë e Albanian Screen TV për të sjell 1001 net.

26 The Voice Kids (Top Channel)

Sigurisht nuk është aq i popullarizuar sa formati kryesor, por megjithatë ofron një alternativë për të gjithë zërat aspirues që të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre. Është më i ‘dëmtuar’ prej formatit kryesor, por ia arrin t’ia dal. Më pëlqen më shumë se ‘Gjeniu i vogël’, por akoma nuk ka arritur të njëjtin nivel të popullaritetit. Me më shumë seriozitet nga stafi realizues, mund të bëhet edhe më i madh.

25 Fiks Fare (Top Channel)

Fiks Fare është format që po i reziston mplakjes. Komedia nuk ka qenë kurrë primare, por tani shpesh duket se është zhdukur. Pra, nëse e shihni për komedi, atëherë kërkoni alternativë tjetër. Megjithatë formati investigues, përkundër mungesës së ‘boom’-ave të nivelit të mëparshëm vazhdon të jetë në nivel të lakmueshëm. Kjo vazhdon ta mbaj në mesin e kanaleve më të mira në televizionet shqiptare.

tjetri24 Tjetri (Top Channel)

Kuiz interesant. Shtesë e mirë në programin e pasdites të Top Channel. Besoj që në sezonin e dytë stafi do të ketë më shumë përvojë dhe do të realizoj një program më të mirë. Është interesante të shohim Manushin në rolin e autorit të një emision që s’ka të bëj me Barcelonën!

23 100 Milionë (Top Channel)

Po mbijeton akoma pa Adi Krastan. Në fakt nuk kam parë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Eno Popi ka bërë punë të mirë. Është kuiz joshës, nuk teprohet falë vetëm një transmetimi në javë, nuk kërkon shumë kohë dhe mendime, është i thjeshtë dhe lehtësues.

22 Mad Men (Albanian Screen TV)

Njëra nga dramat më të mira, ose le të them drama më e mirë e shkruar që për momentin transmetohet në televizion vjen tek shqiptarët në një kanal kombëtar. Kjo është një dobi që duhet ta shfrytëzojmë të gjithë fansat e skenarëve të këndshëm dramatik. Nuk di sa rrezon tek ne kjo dramë, por e di që cilësia është prej më të mirave që mund të shohim në kanalet tona. I lumtë Albanian Screen që transmeton ‘Mad Men’.

21 Shqip (Top Channel)

Edhe një program simbol i brendit të Top Channel. Akoma vazhdon të qëndroj në transmetim përkundër shumimit ‘kërpudhor’ të debateve televizive. Shqip ka ruajtur origjinalitetin, formatin më ndryshe nga të tjerat që shënjohet me debate shumë të qeta dhe të kulturuara, pa britma, tema që nuk prekin të tjerët, por janë të rëndësishme, si dhe intervista e reportazhe të shkëlqyeshme kohë pas kohe.

20 Dribbling (Vizion Plus)

Ishte çështje kohe kur do të niste Dribbling, apo një program i ngjashëm sportiv në Vizion Plus. Kjo ndodhi këtë vit dhe si sezoni debutues nuk kam shumë çka për të kritikuar, pos që më pëlqen konkurrenca dhe do tu nevojitet punë dhe kohë për të gjetur një audiencë vërtetë konkurrente dhe fanse të emisionit. Mendoj që kjo mund të nis të vërehet në sezonin e dytë që është ‘fito ose shko’ sezoni për shumë emisione.

19 Desperate Housewives (Top Channel)

Seriali simbol i Top Channel ka përfunduar. Pas ‘Lost’ tani edhe ‘Desperate Housewives’ largohet për të lënë një hapësirë që assesi nuk mund të plotësohet nga një ‘Game of Thrones’ i redaktuar në masë të madhe. I radhis këtu si një mirënjohje për sjelljen tek publiku shqiptar i serialeve që i kanë dhënë identitet Top Channel. ‘Lost’ dhe ‘Desperate Housewives’.

Ora-5PM18 Ora 5PM (Vizion Plus)

Tani, programi im i preferuar i pasdites në kanalet shqiptare. Ka arritur të mbetet origjinal, ashtu siç ishte projektuar, ka pasur ndoshta ndryshime jo të mëdha, por esenca, trajtimi i temave, zhvillimi i debateve, mbetet i shkëlqyeshëm sikur vitin e kaluar. Është zgjedhja ime primare për programet e pasdites për momentin.

17 Proçesi sportiv (Top Channel)

Këtë vit është përqendruar më shumë në futbollin shqiptar. Për më tepër besoj që duhet të kemi një spin-off për ligat ndërkombëtare. Këto që më interesojnë më shumë mua personalisht vinin në transmetim rreth orës 1 pas mesnate, që është vonë nëse ju nevojitet të zgjoheni të martën herët në mëngjes. Gjithashtu edhe repriza nuk të jep alternativë reale.

16 A Show (Vizion Plus)

Adi Krasta bën atë që bën më së miri. Është i lindur për këto lloje të programeve televizive, dhe thjesht shkëlqen. Ka pasur disa emisione jashtëzakonisht të mira, intervista të shkëlqyeshme që të kanë ngjitur para ekranit. Ka një termin jo të mirë, sidomos për neve fansave të futbollit për shkak të së martës së Champions, pra, gjysmën e emisioneve të sezonit ndoshta duhet ti shohim reprizë, ose të harrojmë të tërën. Por, sa herë që shohim, nuk mund të them që zhgënjehemi, së paku jo unë personalisht.

15 Top Story (Top Channel)

Akoma konkurron me Opinion, por thjesht nuk ka arritur pjekurinë që ka emisioni i Blendi Fevziut. Mungojnë debatet interesante, të baraspeshuara, të pavarura. Është emision i mirë që josh një pjesë të shikueshmërisë, por, akoma nuk ka arritur të mposht paragjykimet. Sidoqoftë, është mirë konkurrenca direkte dhe ‘guximi’ për të shkuar kokë me kokë me Opinion e mos të ikë në një ditë tjetër të javës. Më pëlqen që po ruajnë ‘të enjten politike’ të dyja kanalet. Është alternativë perfektë për ata që nuk shikojnë ‘Opinion’.

14 Zonë e ndaluar (Vizion Plus)

Vazhdon të jetë njëri ndër emisionet më të mira me ngjyrë politike. Më pëlqejnë shumica e reportazheve, sidomos ato që lundrojnë në të kaluarën. Ka një orar të mirë transmetimi, nuk ka konkurrencë të fortë në termin, dhe thjesht nuk ka asgjë të keqe. Të mirat mund ti numërojmë sa herë të duam. Më pëlqen si format dhe uroj të ketë jetëgjatësi.

13 Bar Sport (SuperSport)

Më pëlqen fakti që SuperSport po përqendrohet në realizimin e programeve origjinale, jo vetëm transmetimeve të ndeshjes. Bar Sport është program interesant, shpesh ka mysafir interesant, por mund të jetë edhe më i mirë. Më tepër koncentrohet në ‘bukurinë’ e prezantueseve se sa në opinionet e ekspertëve.

12 X Factor Albania (Klan TV)

Zhgënjimi im me adaptimin e këtij formati tek ne nuk mund të shprehet në këtë paragraf. Ka shumëçka që nuk shkon, që nuk funksionon duke nisur nga moderimi i Alketës, deri tek juria me anëtar si Tuna. Seriozisht, Tuna?! Kurrë nuk kanë munguar superlativët për performancat që rrallëherë do të kalonin mesatare, gjykime joreale, si dhe mosmarrëveshje në pikat kryesore si tek eliminimi se kush do të shkoj e kush do të mbetet. Si një fans i madh i X Factor-it britanik, versioni shqip më bën të vjellë.

gjeniu-i-vogel11 Gjeniu i vogël (Klan TV)

I njëjti problem që kam tek X Factor ekziston edhe këtu. Seriozisht Klan TV, seriozisht Genta të na gjej gjeni neve shqiptarëve!!! Atëherë vallë halli për neve. Nuk është një model të cilin duhet të lakmojnë fëmijët gjeni (disa prej këngëve të saja kanë prejardhje të dyshimtë), e lëre më ekspertizën e saj në fushën e muzikës. Qyshdoqoftë rikthimi i Gjeniut po që është një veprim i duhur i Klanit, por kanë mundu të bëjnë gjë shumë më të mirë, e gjithashtu Rudina Magjistari më mirë do të ishte të mbetej me formatin e saj të pasdites.

10 Opinion (Klan TV)

Vazhdon të mbetet programi debatues më i frytshëm në kanalet shqiptare. Përvoja e Blendit e bën të veten, dhe nuk duket në horizont dikush që mund t’ia marr primatin. Më pëlqen ndarja e formatit, dy intervista 1n1, dhe një debat i gjerë të enjteve. I lejon hapësirë më shumë Klan TV që të vendos programe më argëtuese në primetime. Sidoqoftë nëse do të shihja politikë, apo debat, atëherë zgjedhja ime e parë në kanalet e Shqipërisë mbetet Opinion.

9 1001 Pse (Top Channel)

E shtuna ka kuptim në vjeshtë në Top Channel. Njëri ndër formatet më të këndshme në këtë kanal. Thjeshtë disa nga pyetjet e fëmijëve janë të mrekullueshme. Më pëlqen çiltërsia dhe pafajësia e tyre kundër personaliteteve të ndryshme. E edhe më të këndshme janë kur nuk ka kamera, e kur disa nuk çajnë kokën për mysafirët – ec e mos e pëlqe po mundje.

8 Kuzey Guney (Klan TV)

Tek Klan TV po arrijnë të ruajnë shijen e zgjedhjes së serialeve turke. ‘Kuzej Gynej’ veçse radhit edhe një sukses, për mendimin tim në sjelljen e serialeve turke në primetime. Është pasardhës i denjë për ‘Ezel’, dhe ka gjithçka që e karakterizon një serial të suksesshëm turk, pra gjithçka që ngop apetitet e fansave të këtyre programeve televizive. Më shumë jam i interesuar të shoh se çfarë do të sjellin pas ‘Kuzej Gunej’, të shoh se a do të mund të qëndrojnë në një linjë të duhur. Unë e kam emrin që do të kishte sukses, por a e kanë ata tek Klan, atë do ta shohim në sezonin e ri televiziv. Jo, sigurisht që nuk është ‘Shtëpiaket e dëshpëruara (turke)’ alternativa ime.

nga-e-para7 Nga e para (Vizion Plus)

Njëri nga emisionet më të dashura për shqiptarët. Gjithashtu edhe më të lakmuara. Për humanitetin, ndihmën që jep ky emision as nuk mund të mendohet për një pozitë tjetër pos asaj të parës. Por, realizimi mund të jetë një çikë më i mirë, e gjithashtu disa episode më shumë ndoshta do të kushtonin, rrjedhimisht, më shumë, por edhe do ta bënin edhe më të përkryer. Tashmë është një nga emisionet më të mira që mund të shihni në televizion, nga emisionet që ju bëjnë të ndiheni mirë.

6 Exclusive (Top Channel)

Kampioni ‘fatlum’ i vitit të kaluar zhvendoset në pozitën e gjashtë. Jo që nuk është në nivelin e sezonit të kaluar, por thjeshtë kemi një performancë më të mirë të Top 5. Exclusive ka sjell disa reportazhe të shkëlqyeshme këtë sezon, nuk ka dëshpëruar aspak, dhe gjithnjë kur kam kohë e shikoj. Mbetet një ndër programet më të mira të zhanrit të tij.

5 Ezel (Klan TV)

Si mëson shqiptarët të shohin seriale turke në prime-time?! Ju servon ‘Ezel’-in dhe krijohet një zakon që mund të vazhdojë me vite. Prej serialeve turke që kam ndjekur (e vërtetë ndjek, por shumica janë komedi), Ezel renditet në serialet më të mira turke të transmetuara në kanalet shqiptare. Meriton pozitën në Top10 serialet e transmetuara sezonin e kaluar në televizionet shqiptare. Ka krijuar një avantazh të madh për Klan TV, që po përcillet me ‘Kuzej/Gynej’ e që do të vazhdoj besoj me ‘Karadayi’ gjatë verës. Thjesht nuk ka alternativë më të mirë për momentin për të dominuar primetime e javës.

4 Portokalli (Top Channel)

Evoluimi i Portokallisë ndër vite nuk ka qenë ashtu siç ishte në fillim. Le të kthehemi në 4-5 sezonet e para. Zgjerimi, përmirësimi, i Portokallisë jo nga viti në vit, por edhe nga java në javë shkonte mirë e mirë. Për mua majat i ka pasur në vitin 2010, që nga atëherë kemi riciklim të skeçeve jo shumë komike (jo për mua si kosovar). Problem tjetër ka mbetur sjellja e talenteve të reja që nuk kanë arritur nivelin e yjeve që kanë bërë të famshëm këtë format. Vazhdon të mbijetojë falë karaktereve të Policit e Gjinit, por deri kur?!

al-pazar3 Al Pazar (Vizion Plus)

Nuk është Agoni i Portokallisë, por nuk është edhe diçka e dështuar. Në fakt është format mjaft i suksesshëm që na ofron alternativë të shtunave që më parë dominoheshin nga Këngët e Shekullit (s’më intereson Big Brother). Agoni ka sjell disa nga karakteret më të pëlqyera që ka pasur tek Portokalli, por, ndoshta ka mundur të mbledh një ansambël më të suksesshëm. Vetëm edhe një emër nga Portokalli mund ta bënte akoma më interesant. Skeçet janë komike, janë të mira, nuk ka shumë banalitet. Megjithatë ajo pjesa kur Agoni është moderator është ajo…. si të them… ajo pjesa që na ‘qetëson’ dhe na detyron të pushojnë të qeshurat, të cilat duhet ti rinisim menjëherë në skeçin tjetër. Kjo nuk bën punë për mua, derisa pjesa tjetër është shumë e mirë.

2 Apartamenti 2XL (Vizion Plus)

Vendim i mençur për të heq qafe ‘Sketch Show’. Por, vendim aspak i mençur për pushimin e Ermalit. Megjithatë kasti i shkëlqyeshëm vazhdon të ofroj humor cilësor të dielave, më cilësorin në televizionet shqiptare. Transmetimi direkt në YouTube më ka ndihmuar mjaft personalisht mua, por shpresoj edhe shikuesve të tjerë të cilët kanë qenë në numër të bollshëm. Cilësia e komedisë nuk mungon, është format mijëra herë më i mirë se Sketch Show, një projekt që shyqyr që nuk u kthye. Finalja e madhe më në fund me Saliun do ti plotësojë ëndjet e kastit. Kujt do ti këndojnë më pas?! Berlusconit?!

the-voice1 The Voice (Top Channel)

Pa dyshim programi më i mirë në kanalet shqiptare. Formati i adaptuar në mënyrë fantastike. Zgjedhin talente dhe jo persona për turpërim publik si në garat e ngjashme. Suksesi i konkurrentëve nuk mungon. Juria është njëra ndër më së miri të përpiluara ndonjëherë në ekranet tona. Pjesa teknike është e mahnitshme. Të gjitha këto mjaftojnë për ta vendosur në pozitën e programit më të mirë televiziv në kanalet shqiptare për sezonin televiziv 2012-13. Vështirë të lëkundet nga kjo pozitë edhe sezonin e ardhshëm nëse vazhdojnë kështu.

/Luan Morina – Kritik për TV & Film/