Tiranë/ Histori trishtë, familja më dhunoi e më nxori mes 4 rrugëve sepse jam…

loading...

loading...

Dua të jetoj si gjithë të tjerët!
Kjo histori mund të prekë shumë zemra, por fatkeqësisht, nuk do të mund të prekë ato zemra që duhet të prekte… Mirela Ç. është një vajzë nga Tirana, e bukur, e zgjuar dhe me shumë ëndrra e dëshira, mirëpo preferenca e saj seksuale për seksin e njëjtë ia ka shkatërruar jetën.
Mirela kishte një jetë normale, një familje të dashur, me ekonomi të mesme, por më e rëndësishme është se mes tyre kishte shumë dashuri, ndërsa tani jeta e saj ka ndryshuar totalisht. Familja që e donte aq shumë, e dhunoi, përgojoi edhe braktisi. Njerëzit që deri më dje e mbajtën në krahë si fëmijë, ushtruan tortura nga më të ndryshmet mbi këtë vajzë. Tani ajo shprehet se nuk ka më asnjëri. Nëse flasim për shoqëri, aq më pak. Si mund të afrosh një vajzë që dashurohet më një vajzë tjetër në këtë ambient ku të gjithë priren të paragjykojnë?!
Kur e takova Mirelën, më transmetoi një gjendje frike, që në vështrim. Sytë që herë-herë iu përlotën gjatë bisedës sonë, mbartnin shumë emocione, të cilat e kam të vështirë t’i hedh në letër, ndaj do ta lë atë vetë t’ju tregojë më shumë në këtë bisedë të sinqertë, ku ajo rrëfen historinë e jetës së saj…
– Mirela, sa vjeçe je dhe ku jeton?
– Jam 19 vjeçe dhe jetoj në Tiranë.
– Çfarë të dallon ty nga bashkëmoshataret e tua?
– Vetëm preferenca seksuale, asgjë më shumë… Në fakt, edhe unë jam një vajzë si ato; flas, luaj, qesh, jetoj si ato, madje edhe vuaj si ato për lëndimet e moshës, ama ato janë të lira të dashurojnë, të shprehin ato që ndiejnë, ndërsa unë nuk mundem as të shpreh dashuri në mënyrën time. A është gabim të duash dikë?! Si ato duhet të jem edhe unë!
– Si do t’i përshkruaje ndjesitë që ke tani?
– Si mund të ndjehet një person të cilit tashmë i ka humbur çdo e drejtë? Jam një njeri që të gjithë e paragjykojnë dhe e dhunojnë në mënyra të ndryshme. Ndjehem shumë e poshtëruar nga realiteti shqiptar.
– Pra, ti mendon se shoqëria jonë i fsheh problemet?
– Pjesa më e madhe e shoqeve e shokëve që kam i fshehin brenda vetes, sepse po të shprehin atë çfarë ndiejnë dhe mendojnë, e kuptojnë që nuk do të pranohen. Unë nuk jam e para që kam këto prirje, por shumë të tjerë e vuajnë brenda vetes, siç kam bërë unë deri më tani. Kjo ishte edhe arsyeja pse nuk doja të bashkëbisedoja me ty, sepse e di që shumë nuk do të më kuptojnë…
– Askush nga shoqëria jote nuk të mbështet?
– Shoqëria që kisha, jo vetëm që nuk më mbështet, por tashmë ka filluar të më paragjykojë e të më tallë sa herë rastis përballë tyre. Deri dje isha shoqja e tyre e mirë dhe diskutonim shumë gjëra, kurse tani dinë vetëm të më paragjykojnë, më injorojnë, më përbuzin.
– Çfarë bën në të tilla situata?
– Ul kokën dhe vazhdoj rrugën… Kam qarë shumë herë me orë të tëra për këtë, madje shpesh kam tentuar të pi ilaçe për t’i dhënë fund jetës.
– Pse nuk bisedon me një psikolog?
– Me mundësitë që kam, nuk përballoj dot jetesën minimale e jo më të shkoj në psikolog! Ata kërkojë pagesë për çdo seancë… Do të mundohem t`ia dal me forcat e mia.
– Si e kalon kohën e lirë?
– Kur familja ime ende nuk e dinte se unë jam lesbike, dilja me shoqet, ikja në punë, pija kafe me motrën etj., një jetë normale si çdo 19 vjeçare. Kur gjërat ndryshuan dhe në shoqëri nisën ta kuptonin prirjen time, qëndroja gjatë gjithë kohës e mbyllur në shtëpi, bëja sikur isha sëmurë, deri kur e mori vesh edhe familja…
– Po familja si reagoi?
– Ndryshe nga shoqëria që më dhunonte vetëm me fjalë e përbuzje, familja nisi të më dhunonte edhe fizikisht. Në shtëpinë tonë sikur ra zia, kishte zënka të përditshme, biseda shumë të gjata me ta. Më pas, kur e pranova se nuk kisha si të ndryshoja, pasi unë jam kjo që jam, më përjashtuan, më nxorën jashtë nga shtëpia. Tani enden fare fillikat rrugëve të Tiranës…
– A kishe më parë probleme me familjen, për gjëra të tjera?
– (I mbushen sytë me lot) Jo, jo për gjëra të mëdha. Për mua, familja ime ishte familja më e mrekullueshme në botë. Ishim të lumtur. Ishin ata që më falnin dashuri më shumë se askush tjetër, por sot është krejt e kundërta. Nuk e di se si mundën të hiqnin dorë kaq lehtë nga unë dhe të harronin se më lindën e rritën me shumë sakrifica. Unë, edhe pse ekzistoj si njeri, nuk i ndjej më si prindër.
– Më the se kanë ushtruar edhe dhunë mbi ty…
– Një ditë debati ynë degradoi dhe babai ngriti dorë mbi mua. Këtë e ka bërë shumë herë edhe në prani të mamit dhe të motrës. Më ka goditur edhe me sende, si për shembull me rripin e pantallonave. Më ofendonte me fjalët më të rënda. Mami dhe motra nuk ishin në gjendje ta kundërshtonin… Motra më ka folur gjatë dhe në ndryshim nga prindërit, më është lutur të ndryshoja. Sa e sa netë kemi qarë në krahët e njëra-tjetrës, por ishte e kotë! Edhe ajo, në fund të fundit, nuk më kuptonte…
– E ke menduar ndonjëherë ta denoncosh babain?
– S’e kam marrë këtë guxim. Ku t’i denoncosh?! Në Shqipëri çfarë nuk po ndodh! Asnjeri nuk merret me mua… Edhe pse shpeshherë e kam menduar, në fund të fundit ata janë gjithçka kam dhe jetoj me shpresën se një ditë do të më falin. E di që s`do të jetë e lehtë, por unë do të mundohem që edhe mbas shumë vitesh të lidh kontaktet me ta. Babain nuk dua ta shikoj e t’i flas më, se më ka lënduar shumë, por nëna edhe motra s’kanë faj. Ndiej që i dua përsëri. I shikoj në ëndërr, flas me to, më duket sikur i prek e i përqafoj. Shikoj ëndrra sikur jemi kthyer si më parë.
– Kur e kuptove më së pari se ti kishe prirje homoseksuale?
– Që nga viti i parë i gjimnazit… Unë pëlqeja më shumë shoqet e mia sesa djemtë e klasës që më afroheshin. Ato gjithë kohës flisnin me djem dhe ngacmoheshin, ndërsa unë vetëm luaja rolin sikur më interesonin djemtë. E kam kuptuar për herë të parë ndjenjën time kur shoqja e ngushtë u lidh me një çun. Aty u ndjeva për herë të parë xheloze, e mërzitur… Kur ajo puthte atë, doja të isha unë në vendin e tij.
– A je e dashuruar?
– Jo, nuk jam e dashuruar…
– Ma përkufizo me pak fjalë dashurinë…
– Pa familje s`ka dashuri, këtë e them me plot bindje, sepse familja është ajo që të fal ndjenjat më të bukura në botë.
– Por tani, familja të ka nxjerrë jashtë… Ku po jeton?
– Për momentin jam vetëm, fle në një garsoniere me kushte minimale. Netët e para nuk flija fare nga frika, por pastaj u mësova, ndoshta edhe nga lodhja. Shpresoj të largohem nga qyteti im dhe do të mundohem të gjej një punë sa për t’u ushqyer, diku ku nuk më njeh askush. Është e vështirë, u bënë 20 ditë që nuk kam larë rrobat e trupit. Mundohem të pastrohem sadopak, por kushtet nuk i kam aspak të mira. Ti mund ta kuptosh edhe vetë një femër që ka dy muaj që nuk jeton në një shtëpi për së mbari. Edhe tani që po bisedojmë bashkë, ndihem shumë në siklet…
– Gjatë kësaj kohe, a ke pasur kontakt me njerëz që donin të shfrytëzonin rastin tënd?
– Falë Zotit, jo, sepse e veshura si djalë më ka mbajtur shumë larg shfrytëzimit seksual. Jam munduar të rri larg njerëzve. Sidomos kur shikoj maniakë natën, vetëm eci, largohem nga ai vend pa e ditur se ku po shkoj.
– E njeh LGBT?
– Po, kam dëgjuar në televizor.
– Nuk je munduar ndonjëherë të kërkosh ndihmë tek ata?
– Nuk do ta marr fare këtë iniciativë. Ata dhunohen ashtu si unë. Ajo është thjesht një organizatë, nuk besoj te ndihma e tyre. Përderisa mua nuk po më mbështesin njerëzit më të afërt, si mund të më mbështesë një organizatë?
– Sa ka ndryshuar jeta jote?
– 360 gradë. Çdo gjë më ka ndryshuar… I kisha të gjitha e tani nuk kam asgjë… Asgjë.
– Si e imagjinon të ardhmen?
– Më mungon imagjinata. Imagjinoj një strehë të ngrohtë, një copë bukë, rroba të pastra. Në këtë pikë, nuk e di a do të kem të ardhme…
– Dëshira më e madhe që ke?
– Dëshira ime më e madhe është që familja të më pranojë kështu siç jam dhe ta kuptojnë që unë linda kështu, nuk desha të bëhesha e tillë. Kam kohë që përjetoj dhunë psikologjike, përveç asaj fizike që më ka shkatërruar totalisht si njeri. Shumë herë kam menduar dhe vdekjen si rrugëzgjidhje. Nuk jetohet me frikë. Kam nevojë edhe unë për mbështetje, të më përqafojë dikush, të ndjehem e mbrojtur… Mjaft më kam duruar për një gjë që s`mund ta zgjedh unë!

loading...