Thirrja për armatosje, Nishani del kundër Berishës

Bujar-Nishani2

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka folur në emisionin “Të Paekspozuarit” për thirrjet që ish­-kryeministri Sali Berisha bëri në Parlament, ku bëri thirrje që të armatoset populli.

Sipas Berishës vendi është në pasiguri totale, ndaj duhet armatosje sipas ligjit amerikan. Edhe Presidenti Nishani ka dalë kundër Berishës, duke thënë se një nismë e tillë është e papërshtatshme.

“Grupet Parlamentare kanë të drejtat e tyre për të propozuar nisma ligjore për armatosjen e popullsisë apo ligj për armët, por mua më duket krejt e papërshtatshme personalisht”, tha Nishani.

Presidenti, duke folur për Shullazin, tha se ai nuk është i vetmi që vepron dhe se si ai ka edhe grupe të tjera kriminale. Nishani tha se kryeministri Rama duhet të veprojë që të sjellë besimin te opozita politike.

Ai madje tha se që prej një viti, në Ministrinë e Brendshme është një listë e të gjithë oficerëve të Policisë që janë të lidhur me bandat kriminale, por që kjo listë fle në sirtarët e ministrit.

Mes të tjerash Nishani tha se është konsultuar me Sali Berishën për shumë çështje ligjore, duke qenë se ky i fundit ka qenë më parë ish-president dhe ish-kryeministër i vendit.