Thirrja e dëshpëruar e vajzave në Torovicë: Na shpëtoni se po na fejojnë me kanun

Nga Fatos Baxhaku

Besa, aktivistja e “Word Vision”, i përballon me lehtë se ne kërcimet si prej cirku që bën makina 4X4 në rrugën e vjetër, që lidhte dikur Shkodrën me Lezhën, atë që quhet Rruga e Torovicës.

Ajo, në këto anë, ka ardhur me dhjetëra herë në këta muajt e fundit. Ka ndihmuar nxënës e mësues të shkollës që të organizohen për të arritur një gjë, në dukje të thjeshtë, por për ato anë me fort rëndësi: të rihapet shkolla e mesme në Torovicë. Iniciativën e patën marrë vetë nxënësit me anë të qeverisë së tyre që në mars.
Dy plagë të mëdha: varfëria thuajse e pashpresë dhe fejesa e vajzave sipas Kanunit, kanë bërë që numri i nxënësve, të cilët kalojnë nga arsimi i detyrueshëm në atë të mesëm, të vijë duke zbritur në mënyrë të frikshme. Ndërsa i kalojmë me mund ato pak kilometra që ndajnë shkollën e Torovicës nga Lezha, na kujtohet se kjo rrugë e trishtë, në një farë kuptimi, ishte rezultat i marrëzisë së madhështisë.

Në fillim të viteve ’70, Enver Hoxha, në kulmin e dëlirit të tij ksenofobik dhe si lider i revolucionit botëror, vendosi që në Gjadër, një fshat i madh e i vjetër, që ndodhet matanë Malit të Kakarriqit, të ndërtonte një fushë aviacioni ushtarake që të mos e kishte shoqen në krejt Ballkanin, pse jo edhe në krejt Europën.

Avionët erdhën nga Kina, mali u shpua gjithandej nga tunelet dhe kështu, lindi Aeroporti i Gjadrit. Lezha, qyteti i qetë e i lashtë, u shndërrua befas në një qytet ushtarakësh. Mirë- po, e gjithë kjo, sigurisht që duhej të ishte nën “vëzhgimin e imperialistëve amerikanë dhe socialimperialistëve sovjetikë”, kështu që duhej hedhur hapi i dytë: të devijohej rruga e vjetër, që lidhte Shkodrën me pjesën tjetër të vendit, në mënyrë që sytë kuriozë të “armikut” të mos mund afroheshin.

Kohë më parë ishte tharë këneta e Kakarriqit, një hapësirë e madhe ujore, që shtrihej mes Malit të Rrencit dhe atij të Kakarriqit. Fusha u quajt Torovicë (nga sllavishtja Fushë e Plehrosur, Pjellore). Këndej, në krah të gurëve të kuq dhe shegëve të egra, duhej të kalonte rruga e re e Shkodrës.

Dhe kështu u bë. Një kamp të burgosurish u ngrit në Malecaj dhe 1500 skllevër të kohëve moderne ndërtuan xhadenë mbi të cilën po udhë- tojmë tani. Vendi më pas u popullua me të ardhur nga të gjitha zonat më të varfra të Veriut: Mirdita, Dukagjini, Tropoja, Puka… Për ta u ndërtuan disa pallate përgjatë rrugës. Janë pikërisht ato që mbahen ende në këmbë edhe sot. Popullimi solli fëmijë dhe këta sollën shkolla, normale si në krejt Shqipërinë. Por gjithç- ka ndryshoi pas 1991.

Të parët që u larguan me një frymë ishin të internuarit e shumtë. Pastaj edhe familjet e fshatarëve të ardhur. Devijimi i rrugës Lezhë-Shkodër e shndërroi të gjithë fushën e madhe në një xhep të madh e të harruar. Pakkush kishte tani ndonjë arsye që të kalonte mbi asfaltin e vjetër pllanga-pllanga.
Kështu, nisi harresa vrastare e Torovicës. Më shumë nga të gjithë, këtë duket se e ndiejnë fëmijët, ata që mendojnë më shumë për të ardhmen. Më në fund, makina ka ndaluar së tunduri, ndodhemi në anë të rrugës. Pak metra sipër nesh, në një si të përpjetë, ndodhet shkolla 9-vjeçare. Këtu, fëmijët kanë nisur të shkundin të rriturit. Ndryshe nga vende të tjera, kjo shkollë nuk mban ndonjë emër heroi, patrioti, dëshmori, plaku a të riu. Quhet thjesht “Shkolla 9- Vjeçare Torovicë”.
Këtu na pret “zysha”. Kështu do ta quajmë sakaq Lule Bregun, nëndrejtoreshën e shkollës, me sa duket, duke kujtuar me mall “zyshat” tona të dikurshme. Nuk kalojnë veçse pak minuta dhe mbërrijnë edhe Elsa dhe Valentina. Nën drejtimin e tyre, qeveria e nxënësve në marsin e këtij viti pati marrë një iniciativë të fortë.

Thotë Elsa: “Në fillim nuk e menduam të bënim ndonjë gjë të madhe. Menduam vetëm të mos rrinim të qetë përballë dy plagëve të mëdha të zonës sonë. Shumë nga djemtë nuk e vazhdojnë shkollën e mesme sepse për të shkuar nga këtu e në Balldren, apo Lezhë duhen para, ju e patë edhe vetë se si ishte rruga. Por, më e rënda na dukej ajo e fejesave të detyruara në moshë fare të re.

Njësoj si në kohë të vjetra, këndej nga ne ka ende shumë prindër, që të detyruar nga varfëria, apo thjesht nga forca e zakonit, me të mbaruar vajzat shkollën, i mbyllin në shtëpi duke ua lënë kështu ëndrrat në mes. Të gjitha këto vajza duan të vazhdojnë shkollën më tej, të bëjnë një jetë si gjithë të tjerët, asgjë më shumë…”.

“Ëndrra në mes”… Ndërsa Besa e WV, nxënësit e mësuesit flasin për të njohur të tyre, ne kujtohemi të shënojmë se në këto anë gjithçka ka mbetur në mes: rruga është e asfaltuar vetëm në një korsi dhe po shkërmoqet pak nga pak, ëndrra e prindërve për t’i shpëtuar varfërisë ka mbetur po ashtu në mes, ëndrra e vajzave për të qenë thjesht si të tjerët, po ashtu është një gjysmëëndërr.

Vazhdon Elsa: “Në fillim përgatitëm ftesa për një mbledhje të gjerë. I ndamë vetë derë më derë. Nga kjo u mblodhën shumë njerëz. Jemi treguar shumë të kujdesshëm me ata prindër që i kanë fejuar vajzat pa i pyetur. Në fund të fundit, ata janë njerëzit tanë, nuk duam aspak t’i ofendojmë. Dua, vetëm t’i bëjmë të vetëdijshëm. Përgjigja e këtyre prindërve ishte, se nëse shkolla e mesme, do të rihapej në Torovicë, pra, afër shtëpive dhe kontrollit të tyre, atëherë po, atëherë ata do t’i dërgonin vajzat në shkollë, përndryshe, në asnjë mënyrë nuk lëshonin pe. Të njëjtën gjë thanë edhe prindërit e djemve, duke nxjerrë si shkak shpenzimet e shumta, të papërballueshme për ta. Kështu që, vendosëm t’i drejtoheshim Drejtorisë Arsimore në Lezhë…”.

Ndërhyn Anita Mëhillaj, një “zyshë” tjetër: “Është shumë e vështirë që prindërit të heqin dorë. Kam ndjekur vetë dy vajza që ishin nxënëse të shkëlqyera. Kishin dëshirë të madhe të vazhdonin të mesmen. Të paktën në Balldren, që është më afër. I kam provuar të gjitha, kam folur vetë me baballarët. Madje, kam shkuar deri atje sa t’i fus mik, njerëz të afërt, dhëndrin, kunatën, kushërinj. Asnjë lëshim, pa ardhur shkolla e mesme këtu. Nga dritarja me hekura duket portreti i një djali. Edhe ky e ka mbaruar 9-vjeçaren. Në krah të tij fërkohen të patrazuar në dheun e kuq disa goxha derra ngjyrë gri. Djali është kurioz të dëgjojë se ç’bëhet në shkollën e tij të dikurshme. Por ama vetëm kurioz. Tani ai e ka mbledhur mendjen. Jeta e tij do jetë bagë- tia në fushë dhe mbledhja e kënaçeve prej alumini. Nuk sheh rrugë tjetër në horizont.

Zysh Lumja ndërhyn sërish: “Edhe vetë këto duhet të jenë më luftarake. Unë kam një histori timen, personale. Unë vij nga Dukagjini. Atje kemi jetuar para se të vinim këtu. Dëshira ime më e madhe ishte të shkollohesha. Isha edhe nxënëse e mirë. Do bëja gjithçka, vetëm që të arsimohesha sa më tepër. Mirëpo, në këtë mes hyn edhe varfëria. Një ditë babai më pat thanë se nuk do të vazhdoja më tej. Nuk kishte me më dhanë lekë për konvikt. Unë luftova, qava, bërtita, u grinda. Asnjë rezultat. Ma në fund i thashë se, nëse nuk më çojnë në shkollë, tash po e kryj ndonji marri. Ata, prindërit, u alarmuan dhe ma në fund pranuan. Unë nuk po them që kto vajza të zbatojnë këtë metodën time, ndoshta ishte e teprume, por që duhet të jenë ma të forta, këtë po, këtë ua përsëris të gjithave. Kështu historia jeme. Pastaj më ka ndihmu shumë një “axhë”, që mu gjend edhe ekonomikisht. Kështu, u bana mësuese”.

Valentina tregon një histori tjetër me “axhë”. “Kur ishim në një takim në Lezhë, thotë ajo, ishte edhe Marta Fetaj, inspektore e Shërbimit Social në Lezhë. Ajo u bëri thirrje prindërve që të mos justifikohen vetëm me varfërinë, për të mos i lënë vajzat të shkojnë në shkollë të mesme. Ajo na tregoi se kishte jetuar në një familje edhe më të varfër dhe më të izoluar se këto të Torovicës, por përveç prindërve, i ishte gjendur edhe një axhë që kishte këmbëngulur për arsimin e saj deri në fund. Kur ia tregova këtë histori një shoqes sime, feju qysh herët, që tash asht me fëmijë, asaj iu mbushën sytë me lot e më tha: Sikur ta kisha pasë edhe unë nji axhë si ky!”.

Në zyrat e Lezhës e dinë problemin e shkollës së Torovicës. Në takimin e fundit në qershor, atje u kanë premtuar se do ta zgjidhin problemin. Mirëpo, ndodhën edhe zgjedhjet, edhe ndryshimet në qeveri dhe, në fushën e trishtimit, nuk ka mbërritur ende ndonjë sinjal dritëdhënës.

Tani, nxënës, mësues e prindër mbeten vetëm me shpresën se ndokund, në ndonjë zyrë të madhe në Tiranë, do të shfaqet ndonjë “axhë” që t’ua zgjidhë hallin e tyre të madh. Në mos e bëftë këtë, të paktën të pranojë se është i pafuqishëm përballë Kanunit të Lekës, i cili në shekullin XXI vazhdokërka të sfidojë internetin, globalizmin dhe Shqipërinë Europiane. Sidomos këtë të fundit.

“Një shoqëri s’mund të quhet e mbarë, nëse s’mbron pjesën delikate”
Me sa duket, gjithçka nis nga përfillja e tjetrit. Të gjithë e brohorasin, por pak e bëjnë. Sidomos me ritmet e sotme të jetës përgjithë- sisht egoiste, në garë të vazhdueshme për mbijetesë, për të kapur kohën e humbur, për të ecur përpara.

Mirëpo, ka edhe raste, kur ngjarje jo fort të bujshme, na kujtojnë se në këtë botë nuk jemi vetëm, jemi të rrethuar nga njerëz fort të suksesshëm, nga të suksesshëm normalë, nga pak të suksesshëm e më në fund, nga ata që ne i harrojmë duke mos i kujtuar si pjesë e jona, e mishit dhe ashtit të shoqërisë sonë. Këta janë pjesa më e pambrojtur e jona, mbase më e harruara: fëmijë me aftësi të kufizuara, të harruar ndër skutat e tyre, pa kujdes, të mbledhur në vetminë e tyre, zakonisht të errët.

Për të na kujtuar neve, të tjerëve, se një shoqëri nuk mund të quhet e mbarë, përderisa nuk e mbron pjesën e saj më delikate, “Word Vision” ka vendosur që përgjatë dy ditëve, 4 dhe 5 shtator, të mbledhë në qendër të Tiranës aktivistët e saj të shumtë dhe t’i bëjë bashkë me ekspertë dhe figura të rëndësishme që merren me këto plagë sociale.

Aktiviteti është quajtur “Festivali për Drejtësi Sociale” dhe synon të ndërgjegjësojë shoqërinë për të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, qofshin këta me aftësi të kufizuara, apo jo. Sipas një sondazhi të fundit të “Word Vision”, në Shqipëri ka 70 mijë, afër 10.7 për qind të fëmijëve, që janë të prekur nga forma të ndryshme të aftësisë së kufizuar. Nga këta, vetëm 92 për qind marrin kujdesin e nevojshëm. Shifrat janë alarmante, duhet të frikësojnë çdokënd, prind, ose jo.

Në Pazarin e Ri, të rinovuar, do të mund të ndjekim një ekspozitë tashmë të të mirënjohurit fotograf, Bevis Fusha. Kjo do të qëndrojë e hapur deri më 10 shtator. Një ditë më pas, duke nisur nga paraditja, aktivistë të “WV” do të diskutojnë me zyrtarë e ekspertë në Kompleksin Kulturor të Katedrales Ortodokse në Tiranë, për shkundjen e opinionit tonë publik në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve. Ata shpresojnë një gjë të vetme: që zëri i tyre të dëgjohet. Nuk është shumë për një shoqëri që ka nisur që tani ta quajë veten si të europianizuar. (f.b.)
“ME KANUN!”

Kanuni e do që, natën e caktuar të shkojë shkuesi dhe babai, apo vëllai i djalit, që të çojnë “shejin” te prindi i vajzës.
– Sapo të hyjnë, shkuesi duhet të trazojë zjarrin, me ta bërë këtë, nis të flasë.

– Pasi të kenë ngrënë darkë, babai i dhëndrit ia jep në dorë shkuesit si paratë, ashtu edhe “shejin”. Shkuesi çohet në këmbë dhe ia jep ato babait të vajzës.

– “Sheji” përbëhet nga një unazë bakri ose argjendi. Ky as ndërrohet dhe as kthehet, sa të jetë gjallë dhëndri.
– Kur t’i teket djalit, është i lirë ta lëshojë vajzën, porse si “sheji”, si paratë që ka paguar, i humbasin.
– Para se ta ndajë vajzën, djali duhet të bëjë me dije shkuesin dhe ky, bashkë me dy shokë, shkon te babai i vajzës dhe publikisht, i thotë se është i lirë ta fejojë vajzën diku tjetër.

– Vajza e fejuar nuk ka të drejtë ta ndajë djalin, edhe në mos e pëlqeftë.

– Nëse vajza e fejuar nuk pranon të martohet me të fejuarin, dhe, edhe prindërit e përkrahin, atëherë, ajo nuk mund të martohet më sa kohë të jetë gjallë i fejuari i parë.
– Në këtë rast, prindërit e vajzës duhet të kthejnë të gjitha paratë që kanë marrë nga prindërit e dhëndrit.
– Nëse vajza nuk dëgjon të shkojë në fatin e saj dhe ka kundër edhe prindërit e saj, atëherë dhëndri ka të drejtë ta vrasë me “fishekun në pajë” dhe gjaku i vajzës nuk njihet sepse ajo është vrarë me fishekun e prindërve të saj.
– Edhe në mos pastë prindër, vajza s’ka të drejtë të mendojë për martesën e vet, e drejta u takon vëllezërve, apo kushërinjve.

– Vajza nuk ka të drejtë ta zgjedhë fatin e saj, ajo do të shkojë tek i fejuari që i kanë caktuar.
– Vajza s’ka të drejtë të merret me shkuesinë apo me fejesën e saj.

Liri Lubonja: ‘Sheshi i Kuq’ i kampit dhe qelitë pa dritare
“… Në tabelën ‘Malecaj 3’ makina la rrugën automobilistike kryesore, në të majtë të së cilës ishte Torovica, që i kishte dhënë emrin kampit e zbriti në të djathtë, në një rrugë të mbajtur keq, gjithë gropa. Mbaruam rrugën dhe papritur, na u shfaqën ca plepa, ca drurë frutorë, sofate lulesh e ca tenda hardhie mbi një belvedere të shtruar me çimento. U lehtësova për një çast nga pesha e malit thiktë, të zhveshur e të lartë, drejt të cilit po shkonim.
Mirëpo, ky kopsht i lulëzuar, që ishte ambienti, që rrethonte dikur ndërtesat e ish-komandës, nuk zgjaste shumë. Në fund të tij, u shfaq porta e madhe e kampit, gjysma e kthyer horizontalisht me tokën, gjysma tjetër e shkulur. Ajo ndante ambientet e gjelbëruara të ish-komandës nga pjesa tjetër e ish-kampit, e cila na doli përpara me shëmtimin e saj të dukshëm.

Ca ndërtesa gjysmë të shkatërruara njëkatëshe, të zhveshura nga dyert, dritaret, aty-këtu edhe nga tjegullat. Disa shkallë si amfiteatër ku bënin mbledhjet me të burgosurit dhe, ngjitur me të, pallati i parë, i ndërtuar si mos më keq e i vendosur rrëzë një kodre. Pastaj vinte ndërtesa tjetër dhe përpara tyre një shesh i madh, i shtruar me pluhur të kuq. Karshi ngrihej një vendroje pa ushtar, goxha i lartë, i shkrirë në hekur e beton e një tjetër, i njëllojtë, në anën tjetër.

Në një qoshe të sheshit, në krah të ndërtesës së dytë, ishte një ndërtesë si kotec, me dritaret sa një sopraluçe. Na u deshën pak çaste për të kuptuar se ishin qelitë ndëshkimore. E fundit nuk kishte fare dritare. ‘Sheshi i Kuq’ i kampit ishte mjaft i ndyrë, jo vetëm prej mbeturinave që i hidhnin aty e nuk i hiqte njeri, por edhe nga ca pllanga, njolla të mëdha lagështie, që rrinin në shesh.

Ishin ujërat e zeza që dilnin nga tubacionet hidrosanitare që i kishin thyer vetë banorët e kampit për t’i zhbllokuar. Disa prej tyre vinin nga fshatra të thellë të veriut, wc-të ndryshonin aq shumë nga ato të apartamenteve të qytetit, prandaj s’e kishin idenë se ata tuba të ngushtë nuk pranonin asgjë të fortë, inerte…”.
(Liri, Lubonja, Larg dhe mes njerëzve, Fjala, Tiranë 2003).

At Zef Pllumi: Koleksioni im i ‘shpirtnave të këqij’
“… Familja ime jetonte me blegtori, sepse mali nuk kishte toka buke e të vadituna. Mbjellshin jonxhë, asull e kallamboq. Në mal ishin pak shtëpi e shumë bagëti. Shtëpia jonë mbante shumë dele.

Në atë kohë kishim vetëm nji dhi. Në rranxë të malit ishte këneta. Ajo ishte nji pasuni e madhe jo vetëm për peshkun, që xehej fare lehtë, por edhe për kullotjen e lopëve e të kuajve. Pak pa fillue ujnat e vjeshtës, ajo kishte gram të mirë edhe për blegtorinë e trashë. Na kishim në breg të kënetës dy ksolla shumë të mëdha: njana rrinte hapë për me hi e me dalë lopët e qetë kur të duen, sidomos në mot të keq, ndërsa tjetra rrinte e ndryeme me derë, aty lidheshin viçat.

Në këtë mënyrë njeriu shfrytëzonte ndiesinë e natyrës amnore. Kur viçi pëlliste me të madhe se e kish marrë uja, nana e vet lopë ia njihte zanin dhe delte prej kënetet a kulloset dhe shkonte me i dhanë gji. N’atë breg kënete aq të izoluem, shtë- pia jonë kishte edhe nji sul për me lundrue. Sul thirrej nji trup i madh plepit i zgavrruem e i bamë në trajtë të lundrës, me te gjuejshin peshk.

Un pothuej përditë e merrshem at sul e u mundojshem me vozitë në ujin e kënetës ku ishte ma i thellë. Pjesën ma të madhe të kohës e kalojshem në pyll o tue lexue ndonji libër, ose tue u marrë me banorët e pyllit që janë aq shumë. Gjatë asaj kohe pata arritë me ba nji koleksjon shumë të bukur, sidomos, insektesh e fluturash. Nji ditë gjeta nji lkurë gjarpni, prej atyne të hollave që ata e ndërrojnë në pranverë. Ishte nji ekzemplar i rrallë, kund 2.50 metra e gjatë.

Shkova n’e nesret herët në mëngjes, e palosa dhe e çova në shtëpi bashkë me koleksionin e insekteve të bukura, aty në nji raft. U kënaqeshe me atë koleksjon dhe kështu nuk e ndiejshe aq shumë mërzinë që më kishte hi ndër tru. Por nji ditë… im atë kishte hapë raftin e pa gjithë ato insekte xixëlluese e flutura shumëngjyrëshe. E papritun nji pamje e tilë.

Ai kishte bërtitë me të madhe: – Po kush i ka pru këtu në shtëpi të gjithë shpirtënt e këqij që ka mali?! – dhe me idhnim i kishte përplasë për tokë. E le ma kur kishte dalë në truell edhe lëkura e gjarpnit, nuk ishte përmbajtë fare. Si, edhe lëkuren e shejtanit e ka pru këtu në shtëpi? Na nuk kemi nevojë për magji e shorti.
Na besojmë në Krishtin, në fenë e vërtetë! Jashtë! Jashtë, mi qitni atje dhe mi digjni me zjarm. Nuk i due shpirtnat e këqij! Kemi mjaft e tepër këta që i kemi në qafë! – thonte për komunistat…”.

Torovicë, 1951