The Telegraph për eksodin nga Kosova: Shteti pa shpresë! (Foto)

Passport

Kosova ka humbur rreth 50 mijë njerëz në dy muajt e fundit. ”Çfarë po ndodh në këtë cep të vogël të Ballkanit?”, shkruan Harriet Alexander për ditoren britanike The Telegraph. Shkrimin e saj me titullin “Exodus from Kosovo: Why thousands have left the Balkans” (Eksodi nga Kosova: Pse me mijëra po e lënë Ballkanin). Telegrafi ua sjell më poshtë.
Nysret Ismaili shikon një grup të vogël të fëmijëve që luajnë në fushën e gurtë të futbollit, në shkollën e vendosur në një rrafsh nën kodrinat e shumta të Kosovës. Ai e di se ai ka një problem.

Shkolla e tij është në telashe. Në dy muajt e fundit, 36 prej nxënësve të tij janë larguar, meqë janë marrë nga prindërit për të dalë nga vendi në eksodin më të madh të kosovarëve që nga lufta. Bashkësia e vogël bujqësore në Lug, 15 milja larg Prishtinës, është pakësuar edhe më shumë. Stafi i tij tash përballet me një të ardhme të pasigurt.

“Është katastrofë”, ka thënë z. Ismaili. E, me këtë pajtohet edhe Ministria kosovare e Arsimit: 5200 nxënës kanë lënë shkollat në vend që nga dhjetori.

Nysret Ismaili

Ai e hap derën e klasës së zhurmshme të Nazmije Hysenit, me nxënës gjashtëvjeçarë, që këndojnë me tërë forcën këngë popullore. Buzëqeshja e saj është e ligsht. Katër prej 20 nxënësve të saj kanë lënë mësimin, ndaj z. Ismaili është detyruar të bashkojë dy klasa.

“Kjo nuk ka ndodhur më parë”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Që nga fundi i nëntorit, llogaritet një 50 mijë kosovarët e kanë lënë këtë komb të vogël ballkanik prej 1.8 milionësh, për t’u drejtuar kryesisht për në Gjermani ku ka diasporë të madhe që nga vitet 1970.

Shteti më i ri në Evropë, Kosova, fitoi pavarësinë në 2008, pas vendimit të Tony Blairit dhe Bill Clintonit për të bombarduar Serbinë deri në tërheqje në vitin 1999. Ky është edhe shteti më i varfër, me PBB vjetore për frymë prej 2500 funteve. Puna nuk ekziston në shumë zona: mesatarja e papunësisë është 45 për qind, e deri në 60 për qind në mesin e atyre të moshës nën 24-vjeçare.

Në një vend ku eksporti më i vlefshëm është këngëtarja Rita Ora, joshja për Perëndimin e pasur është e madhe: aplikimet për azil nga kosovarët në Gjermani u rritën në janar me 572 për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

Por, saktësisht se pse kjo po ndodh, tani mbetet mister, pasi gjendja ekonomike s’është asgjë e re.

Hashim Thaçi, ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri më me ndikim, thotë se kjo po bëhet për shkak të “thashethemeve të rreme” se Gjermania do të lehtësojë politikën e saj të azilit. Trafikantët me njerëz duket se e shitën mitin se Kalaja Evropa është përgatitur për të hapur dyert e saj.

Ata që janë ngopur me ekonominë e rënd dhe bllokimin politik, shfrytëzuan momentin e tyre: në fund të janarit, trazirat më të mëdha që nga pavarësia shpërthyen në Prishtinë! E, mediat kosovare raportuan çdo natë për historinë e eksodit, duke nxitur edhe teorinë se tani ishte koha për të shkuar.

Disa dyshojnë se autoritetet serbe, që panë kolonat e autobusëve tek dalin nga Kosova, ishin të lumtur për të mbyllur njërin sy ndaj një vendi pavarësinë e së cilës refuzojnë ta pranojnë. Në fakt, ikja masive nga Kosova u shërbeu mirë qëllimeve të tyre politike. Plus, me mijëra njerëz në autobusët për Beograd dhe pastaj për në kufirin hungarez, bënë që biznesi të lulëzojë për sipërmarrësit serbë – të ligjshëm e të paligjshëm.

“Nuk kam parë asgjë si kjo që prej luftës, qëkur serbët na nxorën jashtë”, thotë Venton Demiri, i cili për 30 vitet e fundit ka punuar në Stacionin qendror të Autobusëve në Prishtinë.

Në tavolinën me cigare dhe kafe, pranë ngrohëses elektrike në zyrën e tij, ai shikonte se si njerëzit mësyjnë për të blerë një biletë për udhëtimin gjashtë-orësh për në Beograd. Autobusët ishin aq të mbushur, sa që bileta duhej të rezervohej një javë më parë. Mbi 13 autobusë largoheshin në natë. Shumë udhëtarë, thotë ai, ishin djem të rinj.

“Është e dhimbshme për Kosovën. Por, nuk ka asnjë shpresë për njerëzit këtu. Ata po ikin se janë të zhgënjyer”.

Jashtë, një familje e re hipi në autobusin e orës 22:30. Fëmijët, të moshës dy dhe trevjeçare, ishin mbuluar për t’u mbrojtur nga të ftohtit. Babai tha se ai ishte duke fituar afro 70 euro në muaj me të cilat nuk mund ta ushqente familjen. Ndaj, shpresonte se do t’ia dilte në Gjermani, transmeton Telegrafi.

Por, ëndrrat e tilla zakonisht janë të destinuara për dështim.

Gjermania, e cila është shtëpia për gjysmën e kosovarëve që jetojnë jashtë vendit, refuzon 99,7 për qind të aplikimeve për azil. Kosova konsiderohet vend stabil dhe i sigurt për riatdhesim, e kjo zakonisht është një proces i shpejtë.

Të mërkurën The Telegraph ka shikuar një grup prej gjashtë të rinjve që ishin shoqëruar nga Policia në aeroplanin nga Munihu për në Prishtinë. Të enjten disa të tjerë u kthyen në të njëjtën rrugë. Të premten pasdite katër të tjerë janë kthyer. Dhe, këtë javë autoritetet kosovare shpresonë për të bërë një shfaqje të të kthyerve, duke sjellë ekipet televizive në aeroport për të larguar të tjerët që duan ta marrin këtë udhë.

Gjermania ka hapur katër qendra të reja për të shqyrtuar ankesat e kosovarëve për azil, e javën e kaluar dërgoi rojet kufitare për të ndihmuar Hungarinë, ku 20 mijë kosovarë janë aktualisht në paraburgim.

Në fund duket se po del fjala se “dyert e hapura” është një mit. Numri i atyre që largohen është zvogëluar. Gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen duarbosh, me tregime të mjerimit, që kanë shitur makinat e tyre dhe lanë punët për aventurat e dështuara.

Të shtunën, u botua edhe lajmërimi i Qeverisë austriake, e cila ka deklaruar: “Kontrabandistët janë duke gënjyer. Nuk do të ketë azil për arsye ekonomike në Austri. Për të qëndruar ilegalisht në Austri, mund të dënoheni me deri 7500 euro”.

Johanna Mikl-Leitner, ministre e Brendshme e Austrisë, e ngriti çështjen e azilkërkuesve gjatë vizitës së saj të së premtes në Prishtinë.

“Ne do të kemi aeroplan çarter çdo dy javë dhe nëse ka një nevojë do të angazhojmë më shumë aeroplanë”, tha ajo. “Po diskutojmë për të kthyer këta njerëz edhe nëpërmjet rrugëve tokësore”.

Por, kjo la një shije të hidhur.

Pak më shumë se dy muaj më parë, Roberti, një punëtor 28-vjeçar u nis nga qyteti i Gjakovës. Me të mbërritur në kufirin hungarez, shoferi serb i taksisë e dorëzoi në duart e policisë hungareze: një gjyqtar e gjobiti me 60 euro dhe e liroi. Roberti vazhdoi nëpër Austri, ku kërkesa e tij për azil është refuzuar pas dy javësh. I liruar nga një qendër burgimi në afërsi të Vjenës dhe me 40 euro nga autoritetet austriake, ai vazhdoi rrugën për në qytetin gjerman Mannheim, duke paguar 92 euro për trenin për në Gjermani.

Ai u zhvendos në Francë, ku u takua me një vëlla i cili gjashtë muaj më parë kishte kërkuar azil në Mulhouse dhe është ende në pritje të një vendimi.

Por, kërkesa e Robertit për azil sërish është refuzuar, kështu që vendosi ta provojë fatin në Bazel të Zvicrës. Ata për dy javë e refuzuan aplikimin e tij, ia dhanë 110 frankë dhe i thanë të ikën nga Evropa.

Këtë herë ai dëgjoi, i lodhur dhe pasi harxhoi të gjitha kursimet e tij. Roberti u kthye në Kosovë tre javë më parë.

“Por, do të përpiqem përsëri”, tha ai. “Nuk ka asgjë këtu për mua”, transmeton Telegrafi.

Në Prishtinë, kryetari Shpend Ahmeti e kupton pse njerëzit si Roberti përpiqen të ikin. Një në katër kosovarë jetojnë jashtë vendit dhe 13 për qind të PBB-së së vendit është nga remitancat.

“Nuk i fajësoj”, tha ai. “Unë kurrë nuk kam parë pakënaqësi të tilla”.

“Dje një njeri me një diplomë të ekonomisë erdhi tek unë dhe më tha: ‘Nëse nuk gjej punë këtë javë do të iki me familjen në Bullgari’! Çfarë t’i thosha?”!

“Qeveria thjesht nuk ka një plan ekonomik”, thekson ekonomisti i edukuar në Harvard. “Njerëzit nuk po largohen sepse nuk kanë para në xhepat e tyre. Ata ikin për shkak se nuk presin se do të jenë në gjendje të bëjnë para gjatë viteve të ardhshme.”

Ahmeti pohon se Kosova ka nevojë për të krijuar vende pune dhe për të tërhequr investimet për ta bërë këtë një vend të vlefshëm për të jetuar. Por, investimet e huaja u tkurrën vitin e kaluar, pavarësisht nga një ekonomie modeste në rritje, ndërsa eksporti më i madh janë hekurishtet. Kosova ka një nga deficitet më të mëdha tregtare në botë, me pothuajse çdo gjë të importuara dhe pa industri të mbetur të para viteve 1990.

“Kjo nuk është shkencë me raketa. Ne duhet të zëvendësojmë importet tona me prodhimin vendor. Nuk është në rregull për të importuar hudhër dhe qepë nga Egjipti, ndërsa toka jonë të rri bosh”, tha ai.

“Nuk kemi një shtet funksional. Gjysma e popullit është i braktisur. Një pjesë e problemit është edhe se e krahasojmë veten me Palestinën dhe themi se nuk jemi shumë keq, ndërsa ne duhet të krahasojmë veten me Slloveninë, të synojmë më lartë”.

Nëpër Sheshin Nënë Tereza, Qeveria ka qëndrim tjetër.

Dritaret në zyrën e Bekim Çollakun janë ende të thyera nga protesta e janarit, por ministri i Integrimeve Evropiane zemërimin e sheh si faj të BE-së.

Ky brez është jashtëzakonisht i irrituar”, tha ai. “Kosova ka një diasporë të madhe, e vetëm për të marrë një takim për vizë duhen gjashtë muaj. Njerëzit ndjehen të bllokuar”.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim vizash në brenda zonës Shengen. Madje edhe moldavët mund të udhëtojnë pa vizë, e kjo e mundon Prishtinën.

Por, me siguri eksodi është për shkak të politikave ekonomike dhe politike të qeverisë së tij, e jo për situatën me viza?

“Ka qenë një situatë shqetësuese, por tani numrat po bien”, tha ai, duke shtuar se janë të vogla shifrat prej 3630 aplikuesve muajin e kaluar në Gjermani.

Por, statistikat më të fundit të BE-së tregojnë se 20 mijë kosovarë kanë aplikuar për azil në vendet e BE-së më 2013, që paraqesin 5 për qind të të gjithë aplikuesve. Në të njëjtën kohë aplikuan 50 mijë sirianë dhe 40 mijë rusë.

“Tranzicioni ynë i pasluftës është pothuajse i përfunduar. Ka marrë më shumë kohë se që kemi shpresuar, e njerëzit janë frustruar. Por, tani ne mund të përqendrohemi për të ardhmen”.

Në fshatin Lug, Sadik Bulliqi, kujdestar 64-vjeçar shkolle, po bëhet gati për natën. Një muaj më parë dy prej djemve të tij e braktisën: Sulltani (20) dhe Avdyli (25). Ata kishin qenë të papunë për një vit, pasi fabrika lokale e vajit të lulediellit, Flori, u zhvendos në Bullgari.

Sadik Bulliqi

“Nuk doja të shkonin, por çfarë të thosha?”, thotë z. Bulliqi.

“Nuk ka asgjë për ta këtu. Ata bënin punë rasti, duke fituar 10 euro në ditë. Më mirë të shkojnë në Gjermani e ta provojnë fatin. Shpresoj se do të qëndrojnë atje”.

Bijtë kanë telefonuar katër vëllezërit e motrat e tyre për të thënë se janë në rregull dhe se po presin përgjigjen për azil. Ata, sipas të gjitha gjasave, pastaj do të depërtohen, e kjo është diçka që e bën Bulliqin të ngre supet nga dëshpërimi.

“Gruaja ime dhe unë jemi të vjetër dhe të lodhur, dhe është e dhimbshme që ikën. Por, çfarë shprese ka për ata këtu”?