Thaçi tregon se kur do të ndodh liberalizimi i vizave

Passport.jpg1

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi në një Intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Bullgarisë “Novinite” ka folur për zhvillimet në Kosovë.

Duke ju referuar përvjetorit të shtatë të pavarësisë së Kosovës, Thaçi ka theksuar se pavarësia e Kosovës ka ndihmuar Ballkanin të shndërrohet në një rajon të qëndrueshëm dhe paqësorë.

“Pas një shekulli të gjatë dhe të errët nën pushtimin serb dhe sundimin komunist, si dhe lufta gjenocidale në 1999, sot Kosova mund të qëndrojë kokëlartë dhe krenare për pozicionin e saj në arkitekturën e re gjeopolitike rajonale”, ka shtuar ai.

Në këtë Intervistë të gjatë, Thaçi ka folur edhe për procesin e njohjeve dhe raportet me shtetet e rajonit. Me këtë rast, ai ka thënë se procesi i njohjeve është i pandalshëm.

“Një ditë, në një të ardhmen jo aq të largët, edhe Serbia do ta njohë Kosovën dhe flamuri ynë do të valojë në Beograd, ngase BE-ja kërkon marrëdhënie të plota dhe të mira fqinjësore mes shteteve kandidate që aspirojnë anëtarësimin në BE”, ka pohuar ai.
Zëvendëskryeministri Thaçi ka folur edhe për transformimin e FSK-së në Forca të armatosura të Kosovës. Ai ka thënë se ky proces do të ndodh shumë shpejt, pas ndryshimeve kushtetuese që do të bëhen.

Duke folur për procesi i liberalizimit të vizave, Thaçi ka theksuar se ai duhet të ndodh sa më shpejt. Sipas tij, deri në verë, Republika e Kosovës do t’i përmbush të gjitha kriteret teknike.