Thaçi nuk tërhiqet, këmbëngul edhe për “Vranjevcin”

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës që ua bëri të shtunën Rogovës dhe fshatit Gjonaj të Hasit, siç raportuan mediat kosovare, siguroi banorët e fshatrave të Hasit, se do të jetë i pakthyeshëm vendimi i Qeverisë së Kosovës, për themelimin e komunave në Rogovë dhe Gjonaj. Ai tha se themelimi i dy komunave në Has, është bërë pas kërkesave të vetë banorëve dhe premtimit që ka dhënë PDK-ja. “Unë e kam mbajtur premtimin tim që e kam dhënë për Hasin. Kam respektuar vullnetin e juaj, dhe sot kam ardhur të t’ua uroj komunat e reja”, tha Thaçi para qytetarëve hasjanë. Mirëpo, ndër shumë banorë të Hasit e sidomos në Prizren, flasin haptas se motivi i krijimit të komunave në reja në Has, është të sigurohet fitorja më e lehtë e PDK-së në Prizren.

Sipas burimeve brenda Qeverisë, kryeministri nuk e ka ndërmend të tërhiqet as nga themelimi i komunës Kodra e Trimave, e njohur që moti si “Vranjevci”, e që është, poashtu shumë e ditur, se kjo lagje e madhe e Prishtinës është bastion i kamotshëm i LDK-së,transmeton koha.

Të gjithë tani e kanë të qartë se pikërisht fuqia lëdëkëiste e “Vranjevcit” është motivi kryesor dhe i vetëm i Thaçit për krijimin e komunës së re në këtë zonë të kryeqytetit, përkatësisht dobësimi i elektoratit kryeqytetas që deri tash prore në shumicë ishte me LDK-në. Me fjalë të tjera, Thaçi synon me çdo kusht fitoren e PDK-së në kryeqytet, ndërsa kështu si ishte deri më tash kryeqyteti i organizuar, edhe në këto zgjedhje, e shihte thuaja të pamundur fitoren kundrejt LDK-së. Prandaj, sipas burimeve brenda PDK-së, që duan anonimitet, pritet që në ditët në vijim Thaçi të ndërmarrë një ofensivë “politike” për të realizuar synimin e tij, pra për krijimin e komunës së “Vranjevcit”, edhepse është i vetëdijshëm për kundërshtimin e prerë nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ishte fare decidiv në kundërshtimin e synimit të Thaçit.

Edhe Mustafa e di fare mirë, se po qe se i ndahet “Vranjevci”, realisht do t’i zvogëlohen në minimum shanset për ta fituar kryeqytetin. Prandaj, brenda PDK-së presin rezistencë të fuqishme të LDK-së dhe të Mustafës personalisht.

A do të fitojë lakmia e Thaçit për ta “pushtuar” edhe kryeqytetin, apo kundërshtimi i fuqishëm i Mustafës, mbetet të shihet në ditët në vijim. /LajmeOnline/